Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se presin që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 dhjetor, të kërkohet nga Komisioni Evropian një opinion për Kosovës, si hap drejt marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Duke folur në fillim të Samitit të BE-së me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel, Kurti tha se presin që një gjë e tillë të ndodhë në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian, më 14 dhe 15 dhjetor.
“Kosova është i vetmi vend që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat. Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm njohjen e progresit të Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile”, theksoi Kurti.
Ai tha se ndonëse statusi i vendit kandidat ka qenë gjithmonë shumë i rëndësishëm, tani çështja është bërë urgjente dhe se duhet shfrytëzuar momentumi aktual për zgjerimin e BE-së dhe përfshirjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Për të arritur deri në këtë pikë, fillimisht duhet që Këshilli Evropian t’i kërkojë Komisionit Evropian një opinion për Kosovën. Nuk mund ta kemi përgjigjen e Komisionit Evropian pa kërkesën paraprake të Këshillit Evropian”, tha Kurti.















