Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takuan të martën me Presidentin sirian, Ahmed al-Sharaa, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Në një deklaratë të përbashkët në platformën X, liderët e BE-së thanë se patën një "shkëmbim të mirë" me presidentin e Sirisë mbi sfidat me të cilat përballet Siria gjatë tranzicionit të saj.
Ata përsëritën mbështetjen e bllokut për "një tranzicion të vërtetë, gjithëpërfshirës, paqësor dhe të udhëhequr nga Siria, pa ndërhyrje të dëmshme të huaja".
"Ne jemi të përkushtuar për të rritur dialogun tonë politik, për të përmbushur nevojat e menjëhershme humanitare dhe për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin socio-ekonomik të Sirisë", thanë ata.
Bashar al-Assad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Ba'ath, i cili qëndroi në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga Al-Sharaa u formua në janar.
Që nga rrëzimi i Assadit, administrata e re e Sirisë ka ndjekur reforma politike dhe ekonomike, duke promovuar kohezionin social dhe duke punuar për të zgjeruar bashkëpunimin me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë.