Kombëtarja e Kosovës barazoi 1:1 me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.
Pjesa e parë u mbyll pa gola, me dy ekipet që krijuan raste, por pa arritur t’i konkretizonin.
Zvicra zhbllokoi rezultatin në minutën e 47-të me golin e Ruben Vargas.
Kosova reagoi fuqishëm në fraksionin e dytë dhe në minutën e 74-të barazoi me një gol nga Florent Muslija.
Me këtë rezultat, Kosova e mbyll Grupin B në vendin e dytë me 11 pikë dhe kalon në fazën e “play-off”-it, që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm. Për kualifikim në Botërorin 2026, Kosovës i nevojiten dy fitore.
Shorti për gjysmëfinalet e “play-off”-it hidhet më 20 nëntor. Zvicra, me 14 pikë, siguroi kualifikimin si fituese e grupit, ndërsa Sllovenia dhe Suedia u renditën në vendin e tretë dhe të katërt.
Ndërkohë, në Grupin J, Maqedonia e Veriut pësoi humbjen më të rëndë në vite, duke u mposhtur 7:1 në Kardif nga Uellsi. Kjo humbje i dha fund një serie prej 14 ndeshjesh pa disfatë në takime zyrtare për skuadrën e Maqedonisë së Veriut.
Ndërsa për Uellsin, kjo fitore i siguroi vendin e dytë në grup pas Belgjikës, ndërsa Maqedonia e Veriut, që deri në këtë duel ishte e pamposhtur, përfundoi në vendin e tretë.
Kombëtarja e Maqedonisë së Veriut megjithatë do të luajë në “play-off” për Botërorin, falë rezultateve në Ligën e Kombeve.
Skuadra e Uellsit dominoi që nga fillimi dhe kaloi në epërsi falë penalltisë së kapitenit Harry Wilson në minutën e 18-të. Vetëm tre minuta më vonë, David Brooks shënoi për 2:0.
Shpresa për rezultat më të mirë për Maqedoninë e Veriut erdhi në minutën e 23-të me golin e Bojan Miovskit pas asistimit të shkëlqyer të Darko Velkovskit. Në minutën e 37-të, Brennan Johnson rriti epërsinë e Uellsit, ndërsa në minutën e 57-të, Daniel James shënoi golin e katërt. Në fund të ndeshjes, Wilson realizoi edhe dy gola (75’ dhe 81’), ndërsa rezultatin përfundimtar 7:1 e vulosi Nathan Broadhead në minutën e 88-të.
Në ndeshjen tjetër të Grupit J, Belgjika fitoi bindshëm ndaj Lihtenshtajnit me rezultatin 7:0.
Tabela përfundimtare është si në vijim: Belgjika 18 pikë, Uellsi 16, Maqedonia e Veriut 13, Kazakistani 8, Lihtenshtajni 0.





















