| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Sulmi kibernetik në shërbimin postar të Koresë së Jugut ekspozon të dhënat e mbi 113 mijë personave
Korea Post ka pezulluar ndryshimet në dërgesat onlajn dhe ka bllokuar qasjen në faqen e saj celulare nga jashtë vendit.
Sulmi kibernetik në shërbimin postar të Koresë së Jugut ekspozon të dhënat e mbi 113 mijë personave
Sulmi kibernetik në shërbimin postar të Koresë së Jugut ekspozon të dhënat e mbi 113 mijë personave / َAA
 

Një sulm kibernetik ndaj Zyrës Postare në Internet të Koresë së Jugut ka ekspozuar emrat, adresat dhe numrat e telefonit të të paktën 113.855 marrësve të regjistruar të postës, njoftoi të shtunën shërbimi postar, transmeton Anadolu.

Sipas një analize të të dhënave, kjo shifër i referohet vetëm një dite. Korea Post, pjesë e Ministrisë së Shkencës dhe të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, tha se ende po heton se sa persona janë prekur nga shkelja e sigurisë, raportoi Agjencia e Lajmeve Yonhap.

Sulmuesit kanë shfrytëzuar një funksion në faqen celulare që u mundëson klientëve të ndryshojnë vendndodhjen e dorëzimit të postës. Ata kanë fituar qasje në të dhënat e dërgesave të regjistruara që ishin në proces dorëzimi nga 17 deri më 24 nëntor.

Korea Post tha se të mërkurën e njoftoi policinë pasi zbuloi shenja të sulmit. Shërbimi pezulloi përkohësisht disa funksione, përfshirë mundësinë e ndryshimit të vendndodhjes së dorëzimit, si dhe bllokoi qasjen në faqen e tij celulare nga adresat IP jashtë vendit.

“Kërkojmë sinqerisht falje që kemi shkaktuar shqetësim te publiku dhe klientët e shërbimit postar”, ka thënë drejtori i Korea Post, Park In-hwan.

“Do t'i hetojmë plotësisht shkaqet e incidentit dhe do të bëjmë çmos për ta parandaluar përsëritjen e tij dhe për ta ruajtur besimin e publikut”, ka shtuar ai.

Sulmi vjen pas një serie shkeljesh të sigurisë së të dhënave në institucionet financiare dhe agjencitë publike të Koresë së Jugut gjatë javëve të fundit. Një rrjedhje e të dhënave në kompaninë shtetërore Korea Electric Power Corp. ekspozoi informacionet personale të rreth 1,52 milion personave.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë