| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Le Pen premton të kundërshtojë vendimin për ndalimin e kandidimit
Marine Le Pen e cilëson vendimin një ‘akt politik’.
00:00
Le Pen premton të kundërshtojë vendimin për ndalimin e kandidimit
Le Pen premton të kundërshtojë vendimin për ndalimin e kandidimit / Reuters

Kandidatja kryesore për president të Francës, Marine Le Pen, ka premtuar se do të kundërshtojë vendimin e gjykatës që e ndalon atë të kandidojë për një periudhë pesëvjeçare.

“Jam luftarake, nuk do të lejoj të eliminohem në këtë mënyrë. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore që më janë në dispozicion,” tha Le Pen për televizionin TF1 të hënën.

Ajo tha se do të kërkojë që vendimi i apelit të merret në kohë, në mënyrë që të shqyrtojë një kandidaturë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.

“Ka një rrugë të ngushtë, sigurisht, por ajo ekziston,” tha Le Pen, duke shtuar se nuk është e gatshme ta pranojë kaq lehtë një “mohim të demokracisë.”

Le Pen akuzoi gjyqtarin se “me dashje” zbatoi ekzekutimin e përkohshëm të ndalimit të saj për të kandiduar, duke e bërë praktikisht të pavlefshëm apelimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale.

“Kështu që, ky ishte një vendim politik”, pretendoi Le Pen, duke theksuar se do të bëjë ankesë “sa më shpejt të jetë e mundur.”

Sipas saj, shteti i së drejtës është “shkelur plotësisht” me këtë vendim.

“Asnjë gjykatës nuk mund të ndërhyjë në një zgjedhje kaq të rëndësishme si ato presidenciale, veçanërisht duke shkelur parimet e sundimit të ligjit”, shtoi ajo.

56-vjeçarja, e cila konsiderohet si një nga kandidatet kryesore për garën presidenciale të vitit 2027, u ndalua të garojë për poste publike për pesë vjet pasi u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të BE-së.

“Kjo është një mosmarrëveshje administrative me Parlamentin Europian: nuk ka pasur përfitim personal, nuk ka pasur korrupsion”, tha Le Pen duke mohuar fajësinë.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë