| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i Shqipërisë bllokon në kufi 79 tonë mish pule, miell dhe hime gruri
AKU-ja bën të ditur se gjatë kontrollit u konstatuan mospërputhjeve në dokumentacion dhe problematikave me etiketimin.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i Shqipërisë bllokon në kufi 79 tonë mish pule, miell dhe hime gruri
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i Shqipërisë bllokon në kufi 79 tonë mish pule, miell dhe hime gruri / ATA
 

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka refuzuar hyrjen në Shqipëri të tri ngarkesave me gjithsej 79 tonë produkte nga Brazili dhe Kosova gjatë nëntorit 2026, për shkak të mangësive në dokumentacion dhe problemeve me etiketimin.

Në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës janë bllokuar dy ngarkesa me 54 tonë mish pule nga Brazili, të importuara nga kompania “ZICO” sh.a. Sipas AKU-së, të dhënat në certifikatat shoqëruese nuk përputheshin me informacionin e regjistruar në sistem, ndaj është vendosur kthimi i tyre në vendin e origjinës.

Ndërkohë, në Morinë është refuzuar një ngarkesë nga Kosova, e importuar nga subjekti “Mirela Bërdufi”, që përmbante 7 tonë miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 tonë hime gruri.

Gjatë kontrollit, inspektorët kanë konstatuar se në një pjesë të konsiderueshme të miellit nuk lexoheshin datat e prodhimit dhe të skadencës. Gjithashtu, niveli i proteinave i shënuar në ambalazh nuk përputhej me dokumentacionin, ndërsa mungonin numri i lotit dhe fleta e analizës për aflatoksinën.

Numri i lotit mungonte edhe në etiketat e himeve të grurit, duke e pamundësuar lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues dhe verifikimin e gjurmueshmërisë së tij.

Sipas AKU-së, gjatë nëntorit në pikat kufitare janë importuar gjithsej 5.277 ngarkesa: 1.276 me origjinë shtazore, 2.834 me origjinë joshtazore dhe 1 167 me produkte për mbrojtjen e bimëve dhe inpute bujqësore. Në kuadër të kontrolleve janë marrë 167 mostra, analizat e të cilave deri më tani nuk kanë evidentuar raste jokonforme.

AKU-ja njofton se kontrollet në kufi do të vijojnë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

BURIMI:ATA