| Albanian
RAJONI
2 MINUTA LEXIMI
Shqipëria dhe Britania me stërvitje të përbashkët ushtarake
Forcat e armatosura shqiptare do të zhvillojnë për gati dy javë stërvitjen e përbashkët detare bregdetare "Austere Wolf-24" me kolegët e tyre të Britanisë së Madhe, në Bazën Detare Pashaliman në kuadër të stërvitjes "Corridor VIII Response".
Shqipëria dhe Britania me stërvitje të përbashkët ushtarake
Shqipëria dhe Britania me stërvitje të përbashkët ushtarake./       Foto: AA/Arkiv / Others

Forcat e armatosura të Shqipërisë do të zhvillojnë stërvitje të përbashkët detare me forcat ushtarake të Britanisë së Madhe.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se forcat e armatosura shqiptare do të zhvillojnë për gati dy javë stërvitjen e përbashkët detare bregdetare "Austere Wolf-24" me kolegët e tyre të Britanisë së Madhe, në Bazën Detare Pashaliman në kuadër të stërvitjes "Corridor VIII Response".

"Kjo stërvitje parashikohet të zgjasë deri më 7 tetor 2024. Në të njëjtën periudhë, pala britanike, përpos zhvillimit të stërvitjes 'Austere Wolf 24' parashikon të zbarkojë në vendin tonë edhe trupat e NATO-s 'Strategic Reserve Force' (SRF), të cilat do të vijojnë kalimin në itinerarin e Korridorit VIII, Shqipëri (Durrës ose Vlorë) - Maqedoni e Veriut - Kosovë - Shqipëri", thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, stërvitja "Austere Wolf-24", e planëzuar nga pala britanike, ka për qëllim zbarkimin e trupave dhe mjeteve lundruese në kushte të vështira bregdetare në bashkëpunim me vendin pritës.

Gjithashtu, theksohet se qëllimi i stërvitjes është promovimi i ndërveprueshmërisë midis vendeve anëtare të NATO-s.

Sipas ministrisë, në këtë stërvitje, Forcat e Armatosura do të angazhojnë anije patrulluese dhe zhytësit e Forcës Detare, trupa të Forcës Tokësore dhe mjete nga Forca Ajrore.

BURIMI:AA