Projekti i Rrugës së Zhvillimit dhe Hekurudha e Hixhazit janë nisma plotësuese që do ta lehtësojnë varësinë në Ngushticën e Hormuzit, tha ministri i Transportit dhe i Infrastrukturës së Türkiyes, Abdulkadir Uraloglu.
Uraloglu iu përgjigj sot pyetjeve të gazetarëve në margjinat e Panairit Ndërkombëtar të Transportit, Aviacionit dhe Logjistikës të Irakut, në Bagdad.
Zyrtari e quajti projektin e Rrugës së Zhvillimit "prioritetin kryesor" gjatë takimeve të tij në kryeqytetin irakian, duke vënë në dukje se delegacionet kanë arritur konsensus për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe i kanë hedhur ato me shkrim për ta kthyer marrëveshjen e nënshkruar më parë në një marrëveshje formale.
Ministri turk tha se ai është planifikuar gjithashtu të takohet me kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin irakian si dhe me një ministër tjetër. "Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm me vetëm një muaj të mbetur deri në fund vitit", tha Uraloglu.
"Një ceremoni themelimi mund të mbahet në Irak nëse menaxhohet siç duhet", shtoi ai duke vënë në dukje se projekti i Korridorit të Zhvillimit vlerësohet të krijojë 70 mijë vende pune për Türkiyen dhe të gjenerojë rreth 60 miliardë deri në 61,5 miliardë dollarë gjatë një dekade.
Ai theksoi se korridoret globale të transportit nuk janë thjesht rrugë tranziti, pasi krijimi i zonave të organizuara industriale, qendrave logjistike dhe porteve përgjatë tyre do të nxisë prodhimin dhe eksportet.
“Hekurudha e Hixhazit dhe Rruga e Zhvillimit nuk janë konkurrentë. Në fakt, ato plotësojnë njëra-tjetrën nëse Rruga e Zhvillimit dhe Hekurudha e modernizuar e Hixhazit do të kishin përfunduar më herët, Ngushtica e Hormuzit mund të mos e kishte dominuar agjendën globale në këtë masë", shtoi ai.















