Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, ku u diskutua për përparimin e reformave dhe sfidat në rrugën drejt integrimit evropian.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, theksoi rëndësinë e reformave për afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve demokratike.
“Ngritja e Komisionit të Posaçëm nga Kuvendi nuk ishte një ‘rrufe në qiell të kthjellët’, por një përgjigje ndaj nevojës së shoqërisë shqiptare për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Objektivi ynë është mbyllja e negociatave teknike brenda vitit 2027 dhe anëtarësimi në BE deri në fund të kësaj dekade,” deklaroi Spiropali.
Ajo shtoi se një Shqipëri evropiane kërkon një Kuvend me standarde evropiane dhe se procesi i reformave është një domosdoshmëri për të përmbushur këtë objektiv. Sipas saj, angazhimi i Shqipërisë është tashmë i njohur dhe i mbështetur nga institucionet e BE-së dhe vendet anëtare.























