Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në kuadër të turneut të saj ballkanik është pritur në takim në Shkup nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, në takim u diskutua perspektiva evropiane, progresi i proceseve reformuese, bashkëpunimi ekonomik, siguria energjetike dhe transformimi digjital.
Kryeministri Mickoski theksoi vendosmërinë e qeverisë për ta përshpejtuar integrimin evropian të vendit përmes rezultateve konkrete dhe përmbushjes së standardeve evropiane.
Ai gjithashtu theksoi se vendi pret një angazhim të qartë dhe konkret nga Bashkimi Evropian (BE), si konfirmim i perspektivës evropiane dhe mbështetje për qytetarët që kanë mbetur të përkushtuar ndaj vlerave evropiane për dekada të tëra.
Qeveria e vendit theksoi se vizita e presidentes von der Leyen është një konfirmim i dialogut të hapur dhe gatishmërisë së ndërsjellë për ta thelluar partneritetin, në interes të stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe së ardhmes evropiane të vendit.