RAJONI
2 minuta leximi
Kosovë, presidentja Osmani bën thirrje për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se shpreson që partitë politike tek të cilat varet formimi i qeverisë së re do të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Kosovë, presidentja Osmani bën thirrje për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re
Kosovë, presidentja Osmani bën thirrje për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re / AA
15 Tetor 2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re, duke theksuar se vonesat po ndikojnë në procesin e reformave dhe vendimeve të rëndësishme për Kosovën.

Osmani në një prononcim për mediat tha se tashmë procesi i konstituimit të Kuvendit është mbyllur dhe mandatimi i partisë së parë fituese për formimin e qeverisë së re është bërë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

"Shpresoj shumë që do të kemi sa më parë Qeveri të Republikës së Kosovës me mandat të plotë kushtetues, sepse siç e dini qeveria në detyrë ka kompetenca të limituara sipas Ligjit për Qeverinë dhe kjo pastaj e pengon jo vetëm punën e qeverisë, por, shtetin në tërësi. Sa më parë që të kemi qeveri me mandat të plotë kushtetues aq më parë mund të shtyhen përpara reformat, të kemi një buxhet gjithëpërfshirës e cila e vendos shëndetin e qytetarëve tanë në radhë të parë", tha Osmani.

Ajo tha se shpreson që partitë politike tek të cilat varet formimi i qeverisë së re do të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe qytetarët e Kosovës në përputhje me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhjet e fundit, do të kenë qeveri me mandat të plotë.

Më 11 tetor presidentja Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, nënshkroi Dekretin, me të cilin mandatoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Ky vendim është marrë pas propozimit zyrtar të partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila me 48 mandate ka fituar numrin më të madh të ulëseve në Kuvend nga rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura me 9 shkurt të këtij viti.

Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, Kurti, është i obliguar që jo më vonë se 15 ditë nga dita e dekretimit, apo deri më 26 tetor më së largu, t'i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë