Papa Leoni XIV bëri thirrje sot për t’i dhënë fund garës së armatimit dhe u kërkoi liderëve botërorë të thyejnë “zinxhirët ideologjikë dhe ekonomikë” që i lidhin njerëzit pas luftës, raportoi "Vatican News".
Duke folur gjatë audiencës së tij së përjavshme, Papa tha se “nuk ka vend për dorëzim, sikur dhuna të ishte e pashmangshme”, ndërsa iu rikthye mësimeve të Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi paqen. Ai tha se sulmet kibernetike dhe manipulimi i informacionit kanë ndryshuar mënyrën se si zhvillohen luftërat ndërsa teknologjia e zhvilluar për mbrojtje mund të përdoret edhe për sulme.
Papa paralajmëroi se konfliktet po bëhen gjithnjë e më çnjerëzore dhe shkatërruese, duke e thelluar urrejtjen dhe padrejtësinë si dhe duke dëmtuar mjedisin. “Askush nuk mund t'i shpërfillë vuajtjet që godasin burrat dhe gratë e të gjitha moshave”, tha ai.
Duke iu referuar paralajmërimit të Koncilit se gara e armatimit dëmton në mënyrë joproporcionale të varfrit, Papa tha se riarmatimi i vazhdueshëm rrezikon të sjellë shkatërrimin për të cilin tashmë po e përgatit terrenin. Ai u bëri thirrje liderëve botërorë t’u kushtojnë vëmendje vuajtjeve të civilëve, përfshirë fëmijët e vrarë ose të gjymtuar dhe familjet e shkatërruara nga lufta.
Papa rikonfirmoi të drejtën e qeverive për mbrojtje legjitime dhe bëri thirrje për institucione ndërkombëtare që të jenë në gjendje të ndërhyjnë në mënyrë efektive për ta rivendosur drejtësinë dhe për të mbrojtur të shtypurit. Ai u bëri thirrje të krishterëve të punojnë për paqen dhe të mbrojnë dinjitetin njerëzor përmes lutjes dhe zgjedhjeve të tyre shoqërore e politike.















