| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Rusia dhe Ukraina raportojnë sulme kibernetike ndaj aplikacioneve të alarmit emergjent
Forcat Ajrore të Ukrainës thonë se aplikacioni i alarmit ajror ka të ngjarë të jetë bërë objekt i një “ndërhyrjeje armiqësore”, ndërsa Rusia raporton një “sulm masiv kibernetik” ndaj aplikacionit të emergjencave.
Rusia dhe Ukraina raportojnë sulme kibernetike ndaj aplikacioneve të alarmit emergjent
Rusia dhe Ukraina raportojnë sulme kibernetike ndaj aplikacioneve të alarmit emergjent / َAA
 

Rusia dhe Ukraina raportuan të hënën në mëngjes incidente kibernetike që prekën aplikacionet e tyre celulare të alarmit emergjent, duke bërë që përdoruesit në të dyja vendet të merrnin paralajmërime të rreme.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se aplikacioni ukrainas i alarmit ajror, Air Alert, dyshohet se ishte bërë objekt i një “ndërhyrjeje armiqësore”, pasi në të u shfaqën paralajmërime të rreme.

“Nuk ka asnjë rrezik nga rrezatimi”, thuhej në një njoftim të publikuar në Telegram, ku qytetarëve u bëhej thirrje të ruanin qetësinë dhe të ndiqnin informacionet zyrtare.

Më vonë, Qendra për Komunikime Strategjike e Ukrainës akuzoi Rusinë për incidentin, duke deklaruar se përdoruesit kishin marrë “mesazhe të pazakonta”, përfshirë një mesazh në gjuhën ruse që përmendte raketën Oreshnik.

Disa orë më vonë, Ministria e Situatave të Emergjencës e Rusisë njoftoi se aplikacioni i saj celular ishte goditur nga një “sulm masiv kibernetik”, i cili u kishte mundësuar autorëve të dërgonin informacione të rreme te qytetarët.

Ministria bëri të ditur se sistemi i përgjithshëm i paralajmërimit të popullsisë në Rusi po funksiononte normalisht dhe nuk ishte prekur nga sulmi.

Sipas saj, qytetarët vazhdonin të merrnin njoftime përmes sirenave dhe altoparlantëve, mesazheve SMS, si dhe transmetimeve televizive dhe radiofonike. Ministria theksoi se aplikacioni celular shërbente vetëm si një mjet shtesë informimi.

Autoritetet ruse njoftuan se specialistët po punonin për të rikthyer funksionimin normal të aplikacionit, duke theksuar se situata ishte “nën kontroll”.

Moska nuk bëri të ditur se kë konsideronte përgjegjës për sulmin.

Ende nuk është e qartë nëse incidentet kibernetike që prekën aplikacionet ruse dhe ukrainase kanë lidhje me njëri-tjetrin.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë