Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar projektvendimin "Për propozimin për shkarkim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj", i cili aktualisht ndodhet në paraburgim.
Vendimi në fjalë është marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, bazuar në ligjin "Për vetëqeverisjen vendore".
Në ligjin në fjalë ndër të tjera thuhet se shkarkimi propozohet nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Propozomini për shkarkim të kryetarit të Bashkisë Tiranë do t'i dërgohet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, i cili vendos për shkarkimin përfundimtar të Velijat nga posti i kryebashkiakut.
Projektvendimi për të propozuar shkarkimin e Veliajt u propozua nga këshilltarët e partisë në pushtet, Partisë Socialiste, me argumentin se "kryeqyteti nuk ka kryetarin e saj të zgjedhur për shkak të procesit penal ndaj tij".
Kryetarja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Megi Fino, në fjalën e saj u shpreh se sot është dita për të marrë një vendim të domosdoshëm për Tiranën dhe për qytetarët e saj.
"Ky hap, i imponuar nga nevoja urgjente e Tiranës për të ecur përpara me një udhëheqje të re nuk është në asnjë mënyrë pranim i pretendimeve të ngritura në procesin penal ndaj kryetarit të bashkisë, të cilat i takon gjykatës ti vlerësojë deri në fund", tha Fino.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, është arrestuar më 10 shkurt, i dyshuar sipas autoriteteve për korrupsion dhe pastrim parash dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Ndërkohë, ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, është vendosur masa "ndalim i daljes jashtë shtetit" dhe "detyrim për t'u paraqitur në policinë gjyqësore", e dyshuar për disa vepra penale.
Veliaj është kryetar i Bashkisë së Tiranës që prej vitit 2015, ndërkohë ka mbajtur post edhe në Qeverinë e Shqipërisë, si dhe ka qenë edhe deputet.