| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Parlamenti Evropian bën thirrje për rol më të fortë të BE-së në tranzicionin politik të Sirisë
Ligjvënësit thanë se "populli sirian ka mundësi historike për të ndërtuar një vend të lirë, demokratik dhe paqësor" gati dy vjet pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.
Parlamenti Evropian bën thirrje për rol më të fortë të BE-së në tranzicionin politik të Sirisë
Parlamenti Evropian bën thirrje për rol më të fortë të BE-së në tranzicionin politik të Sirisë/ AA / َAA
 

Parlamenti Evropian i bëri thirrje sot Bashkimit Evropian të zhvillojë strategji "gjithëpërfshirëse dhe afatgjate" për të mbështetur tranzicionin politik të Sirisë, për t’i forcuar institucionet shtetërore dhe për të ndihmuar në rimëkëmbjen e vendit.

Ligjvënësit thanë se "populli sirian ka mundësi historike për të ndërtuar një vend të lirë, demokratik dhe paqësor" gati dy vjet pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit.

Raporti theksoi se mbështetja e BE-së duhet të respektojë integritetin territorial të Sirisë, të mbrojë të drejtat e njeriut dhe komunitetet minoritare dhe të adresojë kërcënimet e sigurisë, përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar dhe ndërhyrjen e huaj.

Duke mirëpritur njoftimin e një partneriteti të ri politik të BE-së me Sirinë në janar 2026, ligjvënësit thanë se ndihma evropiane, financimi i rindërtimit dhe çdo pezullim i sanksioneve duhet të mbeten të kushtëzuara dhe të kthyeshme dhe të lidhen me përparimin e matshëm në sundimin e ligjit, reformat kushtetuese dhe të sektorit të sigurisë, llogaridhënien dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve.

Duke theksuar se mbi 15.6 milionë njerëz në Siri kanë nevojë për ndihmë humanitare, Parlamenti i kërkoi BE-së dhe shteteve anëtare të saj të ruajnë ndihmën humanitare dhe mbështetjen për përpjekjet e hershme të rimëkëmbjes.

“Eurodeputetët janë të shqetësuar për praninë e vazhdueshme të ISIS-it (DEASh-it) dhe organizatave të tjera terroriste në vend, duke theksuar nevojën për një bashkëpunim më të fortë midis autoriteteve kalimtare të Sirisë, BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për të luftuar terrorizmin”, thanë ligjvënësit.

Që nga rënia e regjimit të Asadit më 8 dhjetor 2024, administrata e re e Sirisë është përpjekur të zgjerojë autoritetin shtetëror në të gjithë vendin dhe të forcojë kontrollin mbi kalimet kufitare. Asadi u largua nga Siria për në Rusi më 8 dhjetor 2024, duke i dhënë fund gati 25 viteve në pushtet dhe dekadave të sundimit të Partisë Baath.