Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka urdhëruar dërgimin e aseteve shtesë ushtarake në Lindjen e Mesme mes tensioneve të shtuara me Iranin, tha të martën zëdhënësi kryesor i Pentagonit.
Grupimi sulmues i aeroplanmbajtëses Harry S. Truman do t’i bashkohet grupimit Carl Vinson për të "vazhduar promovimin e stabilitetit rajonal, për të penguar agresionin dhe për të mbrojtur lirinë e lundrimit në rajon", tha Sean Parnell në një deklaratë.
Për më tepër, Parnell tha se grupimi Nimitz ka filluar dislokimin e tij në Paqësorin Perëndimor për të ruajtur epërsinë luftarake të ShBA-së në rajonin Indo-Paqësor.
Hegseth gjithashtu urdhëroi dislokimin e skuadriljeve shtesë dhe aseteve të tjera ajrore që "do të forcojnë më tej aftësitë tona mbrojtëse të mbështetjes ajrore", tha Parnell, pa specifikuar se cilat avionë po dërgoheshin.
"Sekretari Hegseth e ka bërë të qartë se nëse Irani ose përfaqësuesit e tij kërcënojnë personelin dhe interesat amerikane në rajon, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime vendimtare për të mbrojtur njerëzit tanë," shtoi ai.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kërcënoi Iranin të dielën me bombardime të paprecedenta nëse Teherani nuk pranonte të angazhohej në negociata me Uashingtonin mbi programin e tij bërthamor.
Irani u përgjigj duke deklaruar se nuk do të kishte "asnjë zgjidhje tjetër" përveçse të siguronte armë bërthamore nëse sulmohej nga ShBA-ja ose aleatët e saj.
Dislokimet vijnë gjithashtu në një kohë kur ShBA-ja ka nisur një seri sulmesh kundër grupit Houthi në Jemen.






















