| Albanian
POLITIKË
3 minuta leximi
BE-ja paralajmëron 11 vende për shkelje të rregullave buxhetore
KE-ja ka kërkuar masa ndaj Bullgarisë dhe Hungarisë. Çekia, Finlanda, Gjermania dhe Rumania rrezikojnë të tejkalojnë kufijtë, ndërkaq Kroacia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Sllovenia dhe Spanja përballen me rrezikun e tejkalimit të kufijve.
BE-ja paralajmëron 11 vende për shkelje të rregullave buxhetore
BE-ja paralajmëron 11 vende për shkelje të rregullave buxhetore / AP Archive
 

Komisioni Evropian ka paralajmëruar 11 shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) se rrezikojnë të shkelin rregullat e shpenzimeve të bllokut dhe ka rekomanduar përshkallëzimin e procedurave për deficit të tepruar ndaj Bullgarisë dhe Hungarisë.

Në kuadër të Paketës së Vjeshtës 2027 të Semestrit Evropian, Komisioni Evropian tha se Çekia, Finlanda, Gjermania dhe Rumania rrezikojnë të tejkalojnë kufijtë e rekomanduar për rritjen e shpenzimeve neto.

Ndërkaq, Kroacia, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Sllovenia dhe Spanja përballen me rrezikun e tejkalimit të konsiderueshëm të këtyre kufijve. Komisioni u bëri thirrje të gjitha 11 vendeve që të ndërmarrin masa korrigjuese në buxhetet e tyre për vitin 2027.

Komisioni vlerësoi se Bullgaria dhe Hungaria nuk kanë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të korrigjuar deficitin e tyre të tepruar dhe i kërkoi Këshillit të BE-së të konstatojë zyrtarisht se asnjëri prej këtyre vendeve nuk ka ndërmarrë veprime efektive.

Një vendim i tillë do t'i hapte rrugë Komisionit Evropian për të propozuar objektiva të rishikuara për uljen e deficitit dhe pezullimin e një pjese të fondeve të BE-së.

Komisioni Evropian tha se në këtë fazë nuk është e nevojshme hapja e procedurave për deficit të tepruar ndaj Gjermanisë dhe Lituanisë. 

Ndërkohë, procedura ndaj Italisë mund të mbyllet në pranverën e vitit 2027, nëse të dhënat përfundimtare të buxhetit të vitit 2026 dhe parashikimi pranveror konfirmojnë se vendi e ka korrigjuar deficitin e tepruar.

Kostot më të larta të huamarrjes rëndojnë financat publike

Komisioni Evropian gjithashtu vlerësoi se një politikë fiskale pak më e shtrënguar në eurozonë gjatë vitit 2027 do të ishte e përshtatshme. 

Ai u bëri thirrje vendeve të ndjekin politika të kujdesshme buxhetore, veçanërisht ato që përballen me nivele më të larta të borxhit dhe kosto të huamarrjes, duke kërkuar njëkohësisht që qeveritë të krijojnë hapësirë për investime në mbrojtje, energji dhe inovacion.

Komisioni parashikon që shpenzimet e BE-së për mbrojtjen të rriten nga 1,9 për qind e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) këtë vit, në 2,1 për qind në vitin 2027 dhe 2,2 për qind në vitin 2028.

19 shtete anëtare kanë aktivizuar një klauzolë që u mundëson fleksibilitet të përkohshëm në zbatimin e rregullave të shpenzimeve të bllokut.

Paketa rekomandon gjithashtu kryerjen e shqyrtimeve të thelluara për Bullgarinë, Hungarinë, Italinë, Rumaninë dhe Sllovakinë në gjysmën e parë të vitit 2027, me qëllim vlerësimin e çekuilibrave të mundshëm makroekonomikë.

Sa i përket Bullgarisë, Komisioni Evropian theksoi zgjerimin e deficitit të llogarisë korrente, përkeqësimin e konkurrueshmërisë së kostove dhe rritjen e shpejtë të çmimeve të banesave, krahas rritjes së konsiderueshme të huamarrjes nga familjet.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë