Liderja e socialdemokratëve suedezë, Magdalena Andersson, dështoi sërish të martën në përpjekjen për të formuar qeverinë, duke deklaruar se tashmë nuk ekzistojnë kushtet për krijimin e një kabineti që do të siguronte mbështetjen e nevojshme në parlament, ndërsa ngërçi politik po thellohet pas bisedimeve të pasuksesshme mes blloqeve partiake.
Duke folur për gazetarët pas takimit me kryetarin e parlamentit, Andreas Norlen, Andersson tha se gjatë javës së kaluar ishin zhvilluar diskutime konstruktive mes Partisë Socialdemokrate (S), Partisë së Qendrës (C), Partisë së Gjelbër (MP) dhe Partisë së Majtë (V), por nuk ishin zhvilluar negociata konkrete politike për shkak të refuzimit të Partisë së Majtë për të marrë pjesë, raportoi transmetuesi publik SVT.
“Meqenëse Partia e Majtë ka zgjedhur të mos marrë pjesë në negociata, tashmë nuk ekzistojnë kushtet që unë të formoj një qeveri që do të tolerohej nga parlamenti”, tha Andersson.
Ajo gjithashtu e informoi kryetarin e parlamentit se do të votonte kundër liderit të Partisë së Moderuar, Ulf Kristersson, në votimin parlamentar për postin e kryeministrit.
Andersson kritikoi vendimin e Partisë së Qendrës për të rifilluar bisedimet me Kristerssonin, duke paralajmëruar se një qeveri e pakicës e udhëhequr nga blloku i qendrës së djathtë do të varej në mënyrë të pashmangshme nga mbështetja e partisë së djathtë, Demokratët e Suedisë.
Blloku i qendrës së majtë i Anderssonit fitoi ngushtë zgjedhjet e shtatorit, duke siguruar 176 vende, kundrejt 173 vendeve të koalicionit të djathtë, por partitë e tij mbeten të ndara lidhur me përbërjen e qeverisë së re.
Ndërkohë, Kristersson tha se mbetet i gatshëm të përpiqet të formojë një qeveri të qendrës së djathtë me katër parti, duke shtuar se është i gatshëm të vazhdojë sapo kryetari i parlamentit t’i konsiderojë të përshtatshme kushtet.
Pas takimit me kryetarin e parlamentit, Kristersson konfirmoi se bisedimet me Partinë e Qendrës do të vazhdojnë, por nuk pranoi të zbulojë hollësi rreth diskutimeve.
Ai gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që më shumë kohë të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit politik.
“72 ditë pas zgjedhjeve, kjo nuk mund të jetë çështje kohe. Nuk do të kisha bërë përpjekje nëse nuk do të besoja se ekzistonin kushtet e nevojshme”, tha Kristersson.















