Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon deklaroi se imazhet e tmerrshme të fëmijëve që vdesin urie në Gaza janë rezultat i preferencave të qëllimshme.
Fajon foli në Konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, të organizuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) nën udhëheqjen e Francës dhe Arabisë Saudite.
Ajo theksoi se një zgjidhje me dy shtete e dakorduar reciprokisht dhe e qëndrueshme është e vetmja rrugë e zbatueshme drejt paqes në rajon. "Paqja nuk mund të ekzistojë pa një administratë legjitime dhe kompetente palestineze, e cila kërkon mbështetje ndërkombëtare si dhe reforma", tha Fajon.
Lidhur me sulmet e Izraelit në Gaza, kryediplomatja sllovene tha: "Imazhet e tmerrshme të fëmijëve që vdesin urie në Gaza janë rezultat i preferencave të qëllimshme. Kjo është një katastrofë e shkaktuar nga njeriu. Gaza po përjeton atë që ligji ndërkombëtar e përcakton si gjenocid. Kjo kërkon qartësi në fjalë dhe urgjencë në veprim. Kur pushteti zëvendëson ligjin, ajo që rezulton nuk është siguria, por paqëndrueshmëria dhe radikalizimi brez pas brezi".
Fajon tha se ata këmbëngulin që ligji të zbatohet në mënyrë të barabartë si për të fortët ashtu edhe për të dobëtit dhe se vitin e kaluar ata e njohën shtetin e Palestinës si pjesë të këtij procesi.
Më tej ministrja sllovene shtoi se ata kanë bërë thirrje për armëpushim të përhershëm, lirimin e pengjeve dhe mbrojtjen e të gjithë civilëve.
"Ne këmbëngulim se ndihma humanitare duhet të arrijë në Gaza. Jemi në një pikë kthese, historia nuk do të jetë e mirë ndaj hezitimeve. Historia nuk do të kujtojë fjalimet që shmangin të vërtetat e vështira. Historia do t'i kujtojë qartë ata që heshtën ndërsa përjetohej gjenocid. Le të mbahet mend kjo konferencë jo vetëm si një dhomë jehone, por si vendi ku komuniteti ndërkombëtar më në fund kaloi nga fjalët te rezultatet", tha Fajon.