Kryeministri i Maltës, Robert Abela deklaroi se Malta riafirmon me krenari njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës.
Abela mbajti një fjalim në Konferencën ndërkombëtare të nivelit të lartë të OKB-së mbi gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete, të organizuar nën kujdesin e Francës dhe Arabisë Saudite.
"Do të doja të filloja duke deklaruar qartë dhe pa mëdyshje se Republika e Maltës riafirmon me krenari njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës. Ne e bëjmë këtë si një demonstrim konkret të angazhimit tonë për një zgjidhje të vërtetë dhe paqësore me dy shtete, e vetmja zgjidhje që do të sigurojë të ardhmen e të dy popujve", tha Abela.
Ai theksoi se Malta mbështet hapur të drejtën e Izraelit për të bashkëjetuar me një shtet demokratik të Palestinës dhe pretendoi se Hamasi nuk duhet të ketë vend në Palestinë. Abela nuk u pajtua me pretendimin se njohja e Palestinës nënkupton një fitore për Hamasin.
Kryeministri maltez përsëriti thirrjen e tij për lirimin pa kushte të pengjeve të Hamasit dhe shtoi se Malta kërkon armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm dhe se luftimet duhet të përfundojnë tani.
Abela potencoi mbështetjen e tij për qasjen e palestinezëve "një shtet, një qeveri".
"Në mënyrë të ngjashme, edhe qeveritë izraelite kanë përgjegjësi urgjente. Sulmet e tyre ndaj civilëve dhe infrastrukturës duhet të ndalen menjëherë. Pushtimi i paligjshëm i Bregut Perëndimor nga kolonët dhe dhuna që e shoqëron atë duhet të ndalet menjëherë. Gaza po përjeton uri dhe vdekja e civilëve të uritur që përpiqen të përfitojnë nga sasia e mjerueshme e ndihmës ushqimore nuk mund të lejohet", tha ai.
Kryeministri i Maltës shtoi se ata nuk mund të heshtin përballë tragjedisë aktuale në Rripin e Gazës.