Shumë vende dënuan sulmet izraelite ndaj Gazës në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë për “zgjidhjen e çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete”, e mbajtur nën patronazhin e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Konferenca ndërkombëtare e nivelit të lartë për gjetjen e zgjidhjes së çështjes palestineze dhe zbatimin e zgjidhjes me dy shtete u organizua nën kujdesin e Francës dhe Arabisë Saudite në selinë e OKB-së.
Ministri japonez i Punëve të Jashtme, Ivaya Takeshi, bëri thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha veprimeve të njëanshme izraelite kundër Gazës.
Ai tha se zgjerimi i vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe hapat drejt aneksimit janë “absolutisht të papranueshme”, duke shtuar: “Japonia i dënon fuqishëm këto veprime dhe i bën thirrje Izraelit të ndalë menjëherë të gjitha praktikat e njëanshme.”
Ivaya tha gjithashtu se Hamasi duhet të lirojë pengjet dhe të çarmatoset.
Duke përsëritur mbështetjen e palëkundur të Japonisë për zgjidhjen me dy shtete, Ivaya theksoi: “Për vendin tim, njohja e shtetit të Palestinës nuk është çështje ‘nëse po apo jo’, por ‘kur’.”
Ai shtoi se së bashku me Norvegjinë kanë kryesuar grupin e punës për qëndrueshmërinë ekonomike të Palestinës dhe kanë zhvilluar bisedime konstruktive me vendet anëtare të OKB-së dhe organizatat ndërkombëtare, duke theksuar se vështirësitë financiare të Autoritetit Palestinez duhet të zgjidhen urgjentisht.
Ivaya theksoi se situata aktuale në Gaza “ka arritur një pikë jashtëzakonisht serioze dhe shqetësuese” dhe se Japonia do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet në rajon dhe të bëjë një vlerësim gjithëpërfshirës, duke paralajmëruar se Tokio “do të detyrohet të ndërmarrë masa të reja” nëse Izraeli ndërmerr hapa që pengojnë rrugën drejt zgjidhjes me dy shtete.
Gjermania
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Johann Wadephul, deklaroi se Gjermania mbështet zgjidhjen me dy shtete mes Palestinës dhe Izraelit, duke thënë: “Një shtet palestinez i pavarur, demokratik dhe i qëndrueshëm, që bashkëjeton në paqe dhe siguri me Izraelin, është zgjidhja me dy shtete e arritur përmes negociatave, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, dhe për të cilën për momentin nuk ka alternativë bindëse.”
Ai tha se janë të vetëdijshëm se zgjidhja me dy shtete duket më e largët se kurrë, por edhe se po merren hapa për ta bërë atë edhe më të paarritshme.
“Jemi këtu sot sepse besojmë se mund të ketë një të ardhme më të mirë,” shtoi ai.
Wadephul nënvizoi tri parime të Gjermanisë: “nuk e njohim dhe nuk do ta njohim asnjë ndryshim të kufijve të vitit 1967 pa marrëveshjen e të dyja palëve. I konsiderojmë vendbanimet izraelite në territoret e pushtuara të paligjshme dhe pengesë serioze për paqen.Respektojmë opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të 19 korrikut 2024 dhe veprojmë në përputhje me të.”
Ai shtoi se Gjermania do të mbetet gjithmonë e përkushtuar ndaj ekzistencës së Izraelit.
Holanda dhe Danimarka
Ministri holandez i Punëve të Jashtme, David van Weel, tha se “lufta e tmerrshme” në Gaza duhet të përfundojë dhe se trendi alarmues në Bregun Perëndimor të pushtuar duhet të kthehet, duke shtuar se Holanda po punon për ta ndryshuar kursin e Izraelit përmes hapave kombëtarë dhe evropianë.
Ai tha se një administratë palestineze legjitime dhe demokratike, me kontroll të plotë mbi territoret palestineze, është thelbësore për krijimin e një “Palestine të qëndrueshme”.
Sipas tij, Hamasi nuk duhet të ketë rol në administratën e ardhshme palestineze, duhet t’i lirojë të burgosurit dhe të çarmatoset. Ai shtoi se çdo zgjidhje e mundshme “duhet ta garantojë sigurinë e Izraelit.”
“Holanda do ta njohë shtetin e Palestinës në një fazë të mëvonshme, si pjesë e një procesi politik që duhet të nisë tani,” theksoi ai.
Ministri danez i Punëve të Jashtme, Lars Lokke Rasmussen, deklaroi se “lufta në Gaza ka shkaktuar një katastrofë të padurueshme humanitare, dhe Izraeli po zgjeron ofensivën e tij ushtarake.”
“Kjo duhet të ndalet menjëherë. Izraeli duhet të ndryshojë kurs tani,” tha ai.
Rasmussen theksoi se zgjidhja me dy shtete po përballet me sfida për shkak të kundërshtimit të Izraelit ndaj zgjerimit të vendbanimeve të paligjshme dhe kërcënimeve për aneksimin e Gazës dhe Bregut Perëndimor. Ai tha se “çelësi për njohjen e shtetit të Palestinës nuk duhet të jetë më në duart e qeverisë izraelite, por në duart e palestinezëve.”
“Danimarka është e gatshme të njohë Palestinën si shtet nën kushte të caktuara: lirimi i pengjeve izraelite, çarmatimi i Hamasit dhe heqja e rolit të tij në Gaza, përparimi i mëtejshëm në programin e reformave të Autoritetit Palestinez dhe çarmatimi i shtetit të ardhshëm palestinez,” tha ai.
Italia
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, tha se konferenca po mbahet në një moment kyç, pasi “situata humanitare në Gaza është katastrofale.”
“Qëndrimi i Italisë është i qartë, jemi kundër pushtimit të Rripit të Gazës dhe zhvendosjes së popullsisë së tij,” theksoi ai.
Ai shtoi se Italia dënon sulmin izraelit ndaj ekipit negociator të Hamasit në Doha dhe inkurajoi Katarin të vazhdojë përpjekjet kyçe ndërmjetëse me Egjiptin dhe ShBA-në për arritjen e një armëpushimi.
Tajani po ashtu dënoi vendimet e qeverisë izraelite për zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ai konfirmoi mbështetjen e fortë për ëndrrën e popullit palestinez për shtetësi, duke thënë: “Do të punojmë fort për një zgjidhje me dy shtete që përfshin bashkëjetesën paqësore të palestinezëve dhe izraelitëve. Kjo është e vetmja zgjidhje që do të garantojë të ardhmen e paqes.”
Nga Nju Jorku, Tajani tha: “Izraeli duhet t’i ndalojë bombardimet, dhe Hamasi duhet t’i lirojë menjëherë të burgosurit.”
Ai shtoi se Italia ka ofruar mijëra tonë ndihmë për popullin palestinez dhe ka pritur fëmijë palestinezë në Itali për trajtim mjekësor.
Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Algjeria
Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Katarit, Sultan Saad al-Murayhi, tha se konferenca “ka rëndësi historike në procesin e zgjidhjes së çështjes palestineze.”
Ai theksoi se kjo mobilizim ndërkombëtar po ndodh në dy kontekste: “Së pari, përfundimi i shtypjes shumëdekadëshe që ka përjetuar populli palestinez, pushtimi i tokës së tyre dhe të gjitha krimet e kryera ndaj tyre. Së dyti, situata në territoret palestineze të pushtuara, pra shkatërrimi i Rripit të Gazës dhe rritja e dhunës izraelite në Bregun Perëndimor.”
Al-Murayhi theksoi se Izraeli po rrit tensionet me sjelljen e tij të papërgjegjshme dhe, duke e shkelur qartazi të drejtën ndërkombëtare, ka synuar shumë vende në rajon, përfshirë Katarin (më 9 shtator).
Ministri i Shtetit për Punët e Jashtme të Emirateve të Bashkuara Arabe, Khalifa Shahin al-Marar, mirëpriti njohjen e shtetit të Palestinës dhe u bëri thirrje vendeve që nuk e kanë bërë ende këtë hap, ta ndërmarrin atë.
Ai nënvizoi nevojën për armëpushim në Gaza, duke marrë parasysh zhvillimet e rrezikshme atje, kërcënimet e Izraelit për aneksim të Bregut Perëndimor dhe shkelje të tjera. Po ashtu, theksoi rëndësinë e mbështetjes për ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit dhe ShBA-së.
Al-Marar përsëriti thirrjen ndaj Këshillit të Sigurimit të OKB-së që “ta marrë përgjegjësinë për të ndaluar Izraelin dhe për t’i dhënë fund shkeljeve të tij.”
Ministri algjerian i Punëve të Jashtme, Ahmed Attaf, tha se ka ardhur koha për të ndërmarrë hapa praktikë drejt krijimit të shtetit të Palestinës dhe për t’u kundërvënë planeve të Izraelit për zhvendosjen e palestinezëve nga toka e tyre përmes mjeteve diplomatike, ligjore dhe ekonomike.
Brazili
Presidenti brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, paralajmëroi për pasojat katastrofike të konfliktit në Gaza, duke theksuar se asgjë nuk mund të justifikojë gjymtimin e më shumë se 50.000 fëmijëve dhe u bëri thirrje OKB-së dhe komunitetit ndërkombëtar të ndërmarrin hapa konkretë për njohjen dhe forcimin e të drejtave të Palestinës.
Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Lula da Silva tha se ajo që po ndodh në Gaza “shkon përtej shkatërrimit të një populli, shkatërron ëndrrat e tyre për t’u bërë komb.”
Ai shtoi: “Një shtet ndërtohet mbi territorin, popullsinë dhe qeverinë. Në rastin e Palestinës, këto elemente janë gërryer, dhe kjo reflektohet në pushtimin e paligjshëm. OKB-ja duhet ta përmbushë përgjegjësinë e saj historike. Ne jemi bashkuar me padinë e Afrikës së Jugut në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të ndaluar gjenocidin. Nuk ka fjalë më të përshtatshme se gjenocid.”
Ai theksoi se kompetencat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duhet të zgjerojnë dhe se ka ardhur koha të përfundojë “tirania e vetos” në Këshillin e Sigurimit.
Presidenti brazilian gjithashtu nënvizoi nevojën për forcimin e Autoritetit Kombëtar Palestinez dhe theksoi se e drejta e popullit palestinez për vetëvendosje është një kërkesë themelore e drejtësisë.
Duke përmendur pezullimin e eksportit të armëve në Izrael nga Brazili, Lula da Silva shtoi:
“Përshëndesim të gjitha vendet që njohin shtetin e Palestinës. Ashtu si Brazili e njohu Palestinën në vitin 2010, tani ne përfaqësojmë shumicën mes 193 vendeve anëtare të OKB-së. Duhet të ndërmerren hapa konkretë për realizimin e shtetit palestinez, sepse për sa kohë që kjo pabarazi vazhdon, nuk mund të ketë dialog të vërtetë.”