Ministrat e transportit të Türkiyes, Sirisë dhe Jordanisë kanë rënë dakord ta ringjallin Hekurudhën e Hixhazit, duke shënuar një hap historik në transportin rajonal.
“Linja historike e Hekurudhës së Hixhazit po ringjallet,” njoftoi të martën ministri turk i Transportit dhe i Infrastrukturës.
“Arritëm një marrëveshje për një projektmemorandum Mirëkuptimi (MoU) që përfshin bashkëpunim shumëplanësh në fushën e transportit mes tre vendeve”, tha Abdulkadir Uraloğlu në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
Ai theksoi se 30 kilometrat e munguar të superstrukturës në Hekurudhën e Hixhazit në Siri do të përfundojnë me ndihmën e Türkiyes.
Ministri vuri në dukje se pala jordaneze do të shqyrtojë kapacitetet teknike për mirëmbajtjen, riparimin dhe funksionimin e lokomotivave në Siri.
Do të kryhen studime të përbashkëta teknike për të forcuar lidhjen e Türkiyes me Detin e Kuq përmes Portit të Akabës, nënvizoi ministri.
Transporti rrugor midis Türkiyes dhe Jordanisë përmes Sirisë do të rifillojë pas një pushimi 13-vjeçar, shtoi ai.
Ai tha: “Duke e ruajtur trashëgiminë historike të rajonit tonë, ne po vendosim gjithashtu një bashkëpunim të fortë në korridoret ndërkombëtare të transportit.
Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt një të ardhmeje të përbashkët në transport...”
Hekurudha e Hixhazit, me një gjatësi rreth 1.750 kilometra, u ndërtua nga Sulltan Abdulhamid II për ta lidhur Istanbulin me Mekën, Medinën, Jemenin dhe Damaskun.
Ajo filloi funksionimin në vitin 1908. Hekurudha, e cila kontribuoi në zhvillimin e rajonit, u ndërtua për qëllime fetare, ushtarake dhe politike.