Për herë të parë u organizua olimpiada e përbashkët e gjuhës shqipe, Shqipëri-Kosovë, ku morën pjesë mbi 16 mijë nxënës të klasave të nënta në të dy vendet, për njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Ministrja e Arsimit dhe e Sportit, Ogerta Manastirliu, dhe ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë vlerësuar 84 nxënësit finalistë të Olimpiadës së Përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilët u shpallën fitues pas 3 fazave të para të olimpiadës.
“Ne e kemi marrë këtë nismë përsipër ku janë angazhuar rreth 16 mijë nxënës në të dyja vendet, të klasave të nënta, ku kanë kaluar tre faza të olimpiadës për gjuhën Shqipe. Kemi parë se si jeni përgatitur me mësuesit tuaj dhe kemi tashmë 84 nxënësit që janë pjesë e fazës finale të olimpiadës të parë të gjuhës shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës”, tha ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu.
Ministrja Arbërie Nagavci ka vlerësuar organizimin e Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe për të lartësuar gjuhën shqipe.
“Ky aktivitet kaq i bukur ka dy qëllime kryesore, e para të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy ministrive tona në fushën e arsimit dhe të krijojmë mundësi që nxënës nga Kosova e Shqipëria të jenë në aktivitete të përbashkëta dhe synimi kryesore është të vazhdojmë të punojmë për të lartësuar gjuhën e bukur shqipe. Jam e lumtur që jeni bërë pjesë e kësaj gare, të gjithë jeni fitues”, tha ministrja Nagavci.
Bashkëpunimi në këtë olimpiadë të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe të Sportit të Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit, të Shkencës, të Teknologjisë dhe të Inovacionit të Kosovës ka si qëllim mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës, kulturës dhe traditave tona dhe forcimin e identitetit kombëtar.























