| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Türkiye dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin: Fillon eksplorimi i përbashkët i naftës në Evropë
Duke theksuar se ky partneritet shtrihet në shumë vite, Bayraktar tha se sot partneriteti shënoi një moment veçanërisht të rëndësishëm.
00:00
Türkiye dhe Hungaria thellojnë bashkëpunimin: Fillon eksplorimi i përbashkët i naftës në Evropë
Kompanitë kombëtare turke dhe hungareze të naftës do të fillojnë eksplorimin në 2 lokacione në Hungari / TRT Balkan

Kompania kombëtare turke e naftës TPAO dhe ajo hungareze MOL do ta fillojnë eksplorimin dhe prodhimin e naftës në dy lokacione në Hungari, në bazë të një marrëveshjeje të nënshkruar së fundmi midis Ankarasë dhe Budapestit.

Ministri turk i Energjisë dhe i Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, gjatë një konference për media së bashku me ministrin hungarez të Punëve të Jashtme, Peter Szijjarto, pas ceremonisë së nënshkrimit në Budapest tha se "bashkëpunimi dypalësh midis Türkiyes dhe Hungarisë vazhdon në një nivel shumë të lartë në shumë sektorë, me energjinë që spikat si një nga fushat më të rëndësishme të partneritetit".

Duke theksuar se ky partneritet shtrihet në shumë vite, Bayraktar tha se sot partneriteti shënoi një moment veçanërisht të rëndësishëm.

"Ne ishim dëshmitarë të nënshkrimit të asaj që mund të përshkruhet si investimi i parë i Turkish Petroleum (TPAO) në Evropë. Bashkëpunimi midis TPAO-së dhe MOL-it të Hungarisë pritet të forcohet në Hungari dhe shpresojmë të vazhdojë në vitet në vijim", tha Bayraktar, duke shtuar se gjithashtu pritet të zgjerohet më tej në vende të tjera në rajone të ndryshme nga Afrika në Azi dhe Lindjen e Mesme.

Ministri turk theksoi se të dy vendet përballen me sfida të ngjashme, pasi Türkiye dhe Hungaria mbështeten shumë në burimet e importuara të energjisë.

Duke iu referuar ndërprerjes së energjisë elektrike të hënën në Evropën Perëndimore, Bayraktar theksoi rëndësinë kritike të sigurisë energjetike.

"Për ta garantuar sigurinë energjetike, ne duhet të vazhdojmë ta forcojmë dhe ta zgjerojmë bashkëpunimin tonë", tha ai.

Ai tha se në një botë gjithnjë e më të pasigurt të shënuar nga ndryshimi i politikave tregtare dhe rritja e tarifave doganore, siguria energjetike është "më jetësore se kurrë".

Bayraktar gjithashtu theksoi eksportin e parë të gazit të Türkiyes në një vend jofqinj përmes marrëveshjes midis Korporatës Turke të Tubacioneve të Naftës (BOTAŞ) dhe MVM të Hungarisë në vitin 2023.

"Në përputhje me vendimin strategjik që morëm së bashku, ne besojmë se BOTAŞ dhe MVM mund të luajnë një rol të rëndësishëm në tregtinë dhe furnizimin me gaz jo vetëm në Hungari, por edhe në gjithë Evropën", tha Bayraktar.

Ai gjithashtu përshëndeti marrëveshjen e fundit që përfshin një kompani turke në konsorcium për të ndërtuar një termocentral me gaz natyror në Hungari. Ai shtoi se Türkiye mbetet plotësisht e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit në fushën e naftës dhe gazit, si dhe në energji elektrike dhe energji bërthamore.

"Siguria energjetike e Hungarisë nuk është e mundur pa Türkiyen"

Ministri hungarez, Szijjarto, nga ana e tij, tha se të dyja vendet kanë arritur një moment të ri në bashkëpunimin energjetik.

"Sot, siguria energjetike e Hungarisë nuk është e mundur pa Türkiyen", tha ai, duke theksuar se më shumë se 20 milionë metra kub gaz rrjedhin përmes tubacionit së Rrjedhës Turke.

"Vetëm këtë vit pranuam gjithsej 2,5 miliardë metra kub gaz natyror. Nëse Rrjedha Turke nuk do të ishte ndërtuar në kohë, do të përballeshim me probleme serioze pas krizës së Ukrainës", tha Szijjarto.

Rrjedha Turke, tubacioni i vënë në punë në vitin 2020 sipas marrëveshjes midis Türkiyes dhe Rusisë, midis viteve 2020 dhe 2024 ka transportuar 44,4 miliardë metra kub gaz në Türkiye dhe 59,8 miliardë metra kub në Evropë.

Ministri hungarez gjithashtu theksoi se marrëveshja midis TPAO-së dhe MOL-it do ta shënojë fillimin e bashkëpunimit në prodhimin e naftës jo vetëm në Hungari, por edhe në vendet e treta.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë