| Albanian
BOTA
2 MINUTA LEXIMI
Anëtarësimi në NATO, Türkiye kërkon hapa konkretë nga Suedia
Kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në NATO mund të vlerësohen ndaras, pasi Türkiye ka një mendim më pozitiv ndaj procesit të Finlandës sesa atij të Suedisë.
Anëtarësimi në NATO, Türkiye kërkon hapa konkretë nga Suedia
Anëtarësimi në NATO, Türkiye kërkon hapa konkretë nga Suedia / Foto: AA / AA

Türkiye paralajmëroi se është e pamundur të miratohet kërkesa e Suedisë për anëtarësim në NATO pa parë ndërmarrjen e hapave konkretë prej tyre, ndërsa përkujtoi se Suedia dhe Finlanda kanë bërë premtime lidhur me kërkesën e tyre për anëtarësim.

“Për sa i përket anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, qëndrimi i Türkiyes është i qartë dhe transparent”, tha sot ministri i Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët shtypi me ministrin e jashtëm hungarez Peter Szijjarto, i cili mbërriti në Ankara për vizitë solidariteti pas tërmeteve të 6 shkurtit.

Duke rikujtuar se terrorizmi është një nga dy kërcënimet kryesore për NATO-n, Çavuşoğlu tha se Türkiye pret që dy vendet nordike t'u përgjigjen shqetësimeve të Ankarasë në lidhje me luftën kundër terrorizmit.

Që nga nënshkrimi i memorandumit trepalësh në Samitin e NATO-s në Madrid në qershor 2022, Çavuşoğlu tha se "nuk ka pasur asnjë hap të kënaqshëm të ndërmarrë nga Suedia".

"Suedia dhe Finlanda kanë dhënë premtime për anëtarësimin në NATO. Nuk është e mundur që ne t'i themi 'po' anëtarësimit të Suedisë në NATO pa i parë këto hapa", tha ai.

Ai tha gjithashtu se kërkesat e vendeve nordike për anëtarësim në NATO mund të vlerësohen ndaras, pasi Türkiye ka një mendim më pozitiv ndaj procesit të Finlandës.

Çavuşoğlu përmendi edhe mekanizmin e krijuar midis Türkiyes, Suedisë dhe Finlandës dhe tha se do të ishte mirë që takimi i tretë i mekanizmit të mbahet në Bruksel.

BURIMI:AA