LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Faqe e re në marrëdhëniet Liban–Siri, bien dakord për transferimin e të burgosurve
Aktualisht, në Liban ndodhen rreth 2.000 të burgosur sirianë, shumë prej të cilëve janë arrestuar për dyshime mbi mbështetjen e revolucionit sirian (2011–2024) ose për ofrimin e ndihmës humanitare për grupet opozitare që luftuan kundër ish-regjimit.
Faqe e re në marrëdhëniet Liban–Siri, bien dakord për transferimin e të burgosurve
Faqe e re në marrëdhëniet Liban–Siri, bien dakord për transferimin e të burgosurve / AP
11 Tetor 2025

Libani dhe Siria kanë arritur një marrëveshje për transferimin e të burgosurve sirianë që nuk janë dënuar për vrasje, njoftoi të premten Ministria e Jashtme siriane gjatë një vizite zyrtare në Liban të delegacionit të kryesuar nga ministri i jashtëm Asaad al-Shaibani.

Sipas Mohammed Taha al-Ahmad, drejtor i Departamentit të Çështjeve Arabe në Ministrinë e Jashtme siriane, marrëveshja “përfshin dorëzimin e të gjithë të burgosurve sirianë, përveç atyre që janë përfshirë në krime që kanë derdhur gjak të pafajshëm.”

Al-Ahmad tha për televizionin shtetëror Al-Ikhbariyah se Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa i kushton rëndësi të veçantë çështjes së të burgosurve sirianë në Liban, duke shtuar se përgjigjja e Bejrutit ishte “shumë pozitive” dhe se kjo mund të hapë një “faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe”.

Sipas tij, çështja e të burgosurve është diskutuar në tre takime të ndara me zyrtarë libanezë, duke theksuar se “shumë nga akuzat ndaj të burgosurve sirianë në Liban janë të fabrikuara.”

Aktualisht, në Liban ndodhen rreth 2.000 të burgosur sirianë, shumë prej të cilëve janë arrestuar për dyshime mbi mbështetjen e revolucionit sirian (2011–2024) ose për ofrimin e ndihmës humanitare dhe logjistike për grupet opozitare që luftuan kundër ish-regjimit të Bashar al-Assad.

Delegacioni sirian, i kryesuar nga Asaad al-Shaibani, zhvilloi takime me Presidentin libanez Joseph Aoun, Kryeministrin Nawaf Salam dhe Ministrin e Jashtëm Youssef Raji.

Kujtojmë se në prill, Salam vizitoi Damaskun për herë të parë që nga marrja e detyrës, ku u takua me Presidentin Sharaa dhe diskutoi çështje dypalëshe, përfshirë edhe fatin e të burgosurve sirianë në Liban.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë