LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Misioni i OKB-së raporton një tjetër sulm izraelit pranë paqeruajtësve në jug të Libanit
Një pjesëtar i stafit u plagos në sulmin e dytë izraelit këtë muaj, njofton Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL).
Misioni i OKB-së raporton një tjetër sulm izraelit pranë paqeruajtësve në jug të Libanit
Misioni i OKB-së raporton një tjetër sulm izraelit pranë paqeruajtësve në jug të Libanit / AA
12 Tetor 2025

Misioni i përkohshëm i OKB-së në Liban (UNIFIL) raportoi të dielën një sulm izraelit ndaj personelit të saj paqeruajtës në Libanin jugor.

Në një deklaratë, UNIFIL-i tha se një dron izraelit hodhi një granatë të shtunën, e cila shpërtheu pranë njërit prej pozicioneve të misionit në Kafer Kela, duke plagosur lehtë një paqeruajtës.

Deklarata shtoi se dy dronë izraelitë u panë duke fluturuar pranë pozicionit para shpërthimit.

“Ky është sulmi i dytë me granatë i Forcave të Mbrojtjes Izraelite (IDF) ndaj paqeruajtësve këtë muaj. Ai përbën një shkelje serioze të rezolutës 1701 dhe tregon shpërfillje shqetësuese për sigurinë e paqeruajtësve që e zbatojnë mandatin e Këshillit të Sigurimit”, tha misioni i OKB-së.

UNIFIL-i përsëriti thirrjen e saj që ushtria izraelite të ndalojë sulmet ndaj ose pranë paqeruajtësve të OKB-së “të cilët po punojnë për ta rivendosur stabilitetin që si Izraeli ashtu edhe Libani janë zotuar ta rikthejnë”.

UNIFIL-i operon në Libanin jugor që nga viti 1978 dhe u forcua ndjeshëm pas Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së pas luftës së vitit 2006 midis Izraelit dhe grupit të rezistencës libaneze, Hezbollah.

Luftimet ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite filluan në tetor 2023 dhe u përshkallëzuan në një luftë të plotë deri në shtator 2024, duke shkaktuar mbi 4.000 të vdekur dhe 17.000 të plagosur.

Një armëpushim u arrit në nëntor, por Izraeli ka kryer sulme pothuajse të përditshme në Libanin jugor që atëherë, duke pretenduar se synon aktivitetet e Hezbollahut.

Izraeli duhej të tërhiqej plotësisht nga Libani jugor në fillim të këtij viti, por ende mban një prani ushtarake në pesë pika kufitare.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë