Autoriteti zgjedhor i Sirisë shpalli të hënën rezultatet zyrtare të zgjedhjeve të para parlamentare të vendit që nga rrëzimi i regjimit të Bashar al-Assad.
Nawar Najmeh, zëdhënës i Komitetit të Lartë për Zgjedhjet e Asamblesë Popullore, tha në një konferencë shtypi në Damask se rezultatet për dy të tretat e vendeve në Asamblenë Popullore (parlamentin) janë përfundimtare dhe të pakontestueshme.
Ai sqaroi se Presidenti Ahmad al-Sharaa do të emërojë një të tretën e mbetur të vendeve, duke shtuar: “Ky proces nuk ka lidhje me organet zgjedhore.”
Najmeh theksoi: “Çdo deputet i zgjedhur përfaqëson të gjithë sirianët, pavarësisht përkatësisë”.
Ai shtoi se parlamenti i ri pritet të jetë ‘kritik dhe revolucionar’, duke mbështetur dhe njëkohësisht mbikëqyrur punën e qeverisë.
Zëdhënësi bëri të ditur se 4% e vendeve janë caktuar për personat me aftësi të kufizuara dhe për ata të plagosur gjatë kryengritjes 13-vjeçare kundër regjimit të Assadit.
Megjithatë, ai pranoi disa mangësi, përfshirë “përfaqësimin e pakënaqshëm të grave siriane” dhe “përfaqësimin e dobët të komunitetit të krishterë, me vetëm dy vende në krahasim me madhësinë e tij demografike”.
Najmeh e përshkroi procesin zgjedhor si të drejtë dhe transparent, por pranoi se mungesa e të dhënave të sakta të popullsisë në disa rajone ka ndikuar në ndarjen e vendeve parlamentare.
Ai shtoi se Presidenti Sharaa pritet t’i adresojë këto disbalanca kur të emërojë një të tretën e mbetur të anëtarëve të parlamentit.
Provincat e tjera
Më vonë, kryetari i Komisionit Zgjedhor, Mohammad Taha al-Ahmad, deklaroi në një konferencë të veçantë për shtyp: “Ne kemi nevojë për individë të aftë, jo për kuota sektare”, duke njoftuar se 119 kandidatë janë zgjedhur përmes kutive të votimit.
Njëzet e një vende mbeten të paplotësuara në provincat Suwayda, Raqqa dhe Hasakah, për shkak të motiveve të sigurisë.
Sipas Najmeh, komisioni zgjedhor do të mblidhet të martën për të diskutuar mekanizmin e mbajtjes së zgjedhjeve në këto tri provinca, duke vënë në dukje se afati i pritshëm për zhvillimin e tyre përkon me afatkohën e zbatimit të marrëveshjes së 10 marsit.
Më 10 mars, presidenca siriane kishte njoftuar marrëveshjen për integrimin e Forcave Demokratike Siriane (SDF) në institucionet shtetërore, duke theksuar integritetin territorial të vendit dhe refuzimin e çdo projekti ndarjeje.
SDF-ja dominohet nga grupi terrorist YPG, dega siriane e PKK-së.
Suwayda ka ruajtur armëpushimin që nga 19 korriku, pas një jave përleshjesh të armatosura midis grupeve druze dhe fiseve beduine, si dhe sulmeve ushtarake izraelite.
Të dielën, Siria mbajti zgjedhjet indirekte për Asamblenë Popullore, të parat që nga rrëzimi i regjimit të Assadit.
Rreth 6.000 votues të përzgjedhur nga trupat zgjedhore në gjithë vendin hodhën votën për të zgjedhur dy të tretat e trupës parlamentare me 210 vende.
Sipas sistemit të ri tranzitor, 140 vende u garuan përmes këtij votimi indirekt, ndërsa 70 anëtarët e mbetur do të emërohen nga presidenti.