LINDJA E MESME
2 minuta leximi
Izraeli mbylli xhaminë Ibrahimi në Hebron për shkak të festës Rosh Hashanah
Izraeli urdhëroi marrjen në kontroll të çatisë së oborrit të brendshëm të xhamisë Ibrahimi në Hebron.
Izraeli mbylli xhaminë Ibrahimi në Hebron për shkak të festës Rosh Hashanah
Izraeli mbylli xhaminë Ibrahimi në Hebron për shkak të festës Rosh Hashanah / AA
23 Shtator 2025

Autoritetet izraelite sot kanë mbyllur xhaminë Ibrahimi në qytetin e pushtuar Hebron në Bregun Perëndimor për besimtarët myslimanë, duke u mundësuar kolonëve ilegalë ta festojnë Vitin e Ri hebraik, Rosh Hashanah.

Në pamjet e publikuara shihen flamuj izraelitë që valviten mbi xhami, ndërsa besimtarëve myslimanë u është ndaluar t’i afrohen vendit. Hyrjet e xhamisë janë vulosur dhe rrugët që çojnë drejt zonës kanë mbetur të zbrazëta.

Kolonët izraelitë ilegalë këtë vit do ta shënojnë festën e Rosh Hashanah nga 22 deri më 24 shtator.

Javën e kaluar, Izraeli urdhëroi marrjen në kontroll të çatisë së oborrit të brendshëm të xhamisë Ibrahimi në Hebron, një lëvizje që zyrtarët palestinezë e cilësojnë si hapin e fundit drejt erozionit të autoritetit mysliman mbi një nga vendet më të ndjeshme të shenjta në Bregun Perëndimor.

Komisioni për Rezistencë ndaj Murit dhe Vendbanimeve i Organizatës Çlirimtare të Palestinës (OÇP) njoftoi se urdhri, që përfshin 288 metra katrorë, është lëshuar të hënën përmes një njoftimi zyrtar për eksproprim.

Në shkurt, gazeta “Israel Hayom” raportoi se Izraeli tashmë kishte transferuar kompetencat administrative mbi xhami nga Ministria palestineze e Vakëfeve dhe Komuna e Hebronit te një organ fetar i paligjshëm i kolonëve në Kiryat Arba.

Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s në vitin 2017 e njohu xhaminë Ibrahimi si vend të trashëgimisë palestineze.

Xhamia ndodhet në Qytetin e Vjetër të Hebronit, ku jetojnë rreth 400 kolonë ilegalë nën mbrojtjen e afro 1.500 ushtarëve.

Izraeli e ndau xhaminë në vitin 1994, pasi një kolon izraelit vrau 29 besimtarë palestinezë, duke i caktuar rreth dy të tretat e hapësirës për ritualet hebraike dhe pjesën tjetër për myslimanët.

Që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës në tetor 2023, të paktën 1.022 palestinezë janë vrarë dhe mbi 7.000 janë plagosur në Bregun Perëndimor të pushtuar nga forcat izraelite dhe kolonët ilegalë, sipas të dhënave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Në një opinion të rëndësishëm korrikun e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli të paligjshme okupimin izraelit të territoreve palestineze. Ajo kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë