Një tanker nafte mori flakë dhe mbeti e bllokuar të mërkurën pasi goditi një minë detare në një zonë të kufizuar në lindje të Ngushticës së Hormuzit, njoftoi Marina iraniane.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Mehr, Marina tha se tankeri kishte çaktivizuar sistemet e zbulimit dhe navigimit përpara se të hynte në “zonën e ndaluar”, pavarësisht paralajmërimeve që kishte marrë.
Anija më pas goditi një minë detare, mori flakë dhe mbeti e palëvizshme, thuhet në deklaratë.
Marina nuk e identifikoi tankerin dhe nuk dha detaje për ekuipazhin e saj, viktimat e mundshme apo shkallën e dëmeve.
Incidenti i raportuar vjen në mes të ndërprerjeve të vazhdueshme të trafikut detar përmes Ngushticës strategjike të Hormuzit, një rrugë jetike për transportin global të naftës dhe gazit.
Më herët të mërkurën, Marina e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se dy tankerë nafte goditën mina detare, duke shkaktuar shpërthime dhe zjarre, teksa përpiqeshin të kalonin Ngushticën së Hormuzit përmes një “rruge të paautorizuar”.
Teherani e ka lidhur vazhdimisht rihapjen e kësaj rruge ujore me kërkesat e tij për përfundimin e armiqësive amerikane dhe izraelite, garanci sigurie kundër sulmeve të reja dhe heqjen e sanksioneve amerikane dhe kufizimeve ndaj porteve iraniane.
ShBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit më 28 shkurt, duke bërë që Teherani të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe objekteve ushtarake amerikane në vendet arabe.
Teherani dhe Uashingtoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor, por zbatimi i tij ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lirinë e lundrimit nëpër ngushticë.















