| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Shkup, mbahet sërish marsh protestues lidhur me zjarrin në Koçan
Ky ishte marshi i katërt i organizuar nga iniciativa “Kush është i radhës?”, gjatë së cilës u kërkua drejtësi dhe ndryshime në sistem pas tragjedisë në një klub “Pulse” në Koçan më 16 mars.
00:00
Shkup, mbahet sërish marsh protestues lidhur me zjarrin në Koçan
Shkup, mbahet sërish marsh protestues lidhur me zjarrin në Koçan / AA

Sot në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, u mbajt sërish marsh protestues pas tragjedisë së zjarrit në një klub nate në Koçan muajin e kaluar, nga i cili jetën humbën 61 persona.

Ky ishte marshi i katërt i organizuar nga iniciativa “Kush është i radhës?”, gjatë së cilës u kërkua drejtësi dhe ndryshime në sistem pas tragjedisë në një klub “Pulse” në Koçan më 16 mars.

Dhjetëra protestues marshuan nga ndërtesa e qeverisë drejt Këshillit Gjyqësor, parlamentit dhe Gjykatës Penale.

Aktivistja Anastasija Mitrevska u prononcua para gazetarëve, duke thënë se organizimi i tyre ka për qëllim ndryshimin e sistemit.

“Sot jemi në rrugë që të luftojmë kundër sistemit i cili na bën t’i harrojmë të gjitha tragjeditë. Po ashtu, protestojmë për të gjitha kërkesat e parashtruara deri tek opinioni për të cilat autoritetet janë në dijeni, por që çështja më shumë sillet rreth asaj se kush jemi ne e jo rreth kërkesave tona”, tha Mitrevska.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që “ta ngrenë zërin e tyre kundër padrejtësive”.

Pak ditë më parë, iniciativa “Kush është i radhës?” zyrtarisht i dorëzoi kërkesën e parë qeverisë, krijimin e një sistemi “e-inspektorat”, përmes të cilit do të jenë të qasshme të gjitha inspektimet e kryera në vend. Synimi i tyre është t’i njoftojnë qytetarët nëse një objekt i caktuar i është nënshtruar inspektimit dhe nëse është i sigurt.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë