| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Kremlini pretendon se Putini mbështet armëpushimin në Ukrainë, por ka nuanca
Peskov shtoi se çështjet e stabilitetit strategjik dhe kontrollit të armëve nuk u diskutuan gjatë bisedimeve aktuale midis Rusisë dhe ShBA-së.
00:00
Kremlini pretendon se Putini mbështet armëpushimin në Ukrainë, por ka nuanca
Kremlini pretendon se Putini mbështet armëpushimin në Ukrainë, por ka nuanca / Reuters
 

Presidenti rus Vlladimir Putin mbështet një armëpushim në Ukrainë, por ka një sërë faktorësh që duhen marrë parasysh përpara se të ndërmerret një hap i tillë, tha të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Në një konferencë shtypi në Moskë, Peskov foli për raportet e mediave që pretendonin se këshilltarët i thanë Presidentit të ShBA-së Donald Trump të mos telefononte Putinin derisa Moska të binte dakord për një armëpushim të plotë.

Peskov hodhi poshtë shkrimet e tilla.

"Shumë lajme të ndryshme të rreme, thashetheme, hamendje dhe gënjeshtra të plota u publikuan në media. Presidenti Putin mbështet idenë e një armëpushimi. Në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje shumë nuanca që duhen kuptuar përpara se të ndërmerret një hap i tillë. Ne mbajmë kontaktet tona dhe diskutojmë nuancat", tha Peskov.

Ai mohoi informacionet nga mediat për bisedën e ardhshme telefonike mes Putinit dhe Trump. Ai shtoi se kontakte të tilla nuk janë planifikuar në ditët në vijim.

Peskov shtoi se çështjet e stabilitetit strategjik dhe kontrollit të armëve nuk u diskutuan gjatë bisedimeve aktuale midis Rusisë dhe ShBA-së.

"Megjithëse stabiliteti strategjik dhe kontrolli i armëve duhet, në përgjithësi, të jenë lart në listën e prioriteteve, ne nuk kemi arritur ende atë nivel," tha Peskov.

Duke folur për garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, Peskov e përshkroi temën si shumë të vështirë. Ai theksoi se janë ende duke negociuar për këtë dhe se parametrat specifikë për garanci të tilla aktualisht janë të pamundura të përcaktohen.