| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Gjermania kritikon sulmet ajrore të Izraelit në territorin sirian
Berlini thekson se operacionet ushtarake justifikohen vetëm në rastet e vetëmbrojtjes dhe i kërkon Izraelit të shmangë veprime të tilla ushtarake që mund ta destabilizojnë Sirinë.
00:00
Gjermania kritikon sulmet ajrore të Izraelit në territorin sirian
Gjermania kritikon sulmet ajrore të Izraelit në territorin sirian / AP
 

Gjermania kritikoi të premten sulmet ajrore ushtarake të Izraelit në territorin sirian dhe i bëri thirrje Izraelit t'i ndalojë veprimet që nuk lejohen sipas ligjit ndërkombëtar.

Në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme gjermane Amelie Tittel theksoi se vendet fqinje nuk duhet ta komprometojnë stabilitetin politik të Sirisë dhe procesin e tranzicionit kombëtar.

“Forcat e armatosura mund të ndërmarrin veprime ushtarake vetëm në territorin e huaj në ushtrimin e së drejtës për vetëmbrojtje”, tha Tittel. Derisa Izraeli të shpjegojë se si këto masa ushtarake janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, ne i bëjmë thirrje Izraelit të përmbahet nga këto operacione ushtarake.

Ajo ripohoi mbështetjen e Gjermanisë për stabilitetin e Sirisë dhe procesin e saj të vazhdueshëm të tranzicionit politik kombëtar pas rënies së regjimit të Asadit.

“Prioriteti kryesor për sirianët është rivendosja e stabilitetit afatgjatë në Siri dhe ky stabilitet nuk duhet të rrezikohet nga ndikimi i forcave të huaja”, tha ajo.

Avionët luftarakë izraelitë nisën një seri sulmesh ajrore duke synuar disa vende në kryeqytetin sirian Damask dhe provincat perëndimore të Hama dhe Homs të mërkurën.

Ushtria izraelite pretendoi se sulmet goditën "aftësitë ushtarake që mbetën" në bazën ajrore të Hamës dhe bazën T4 në Homs, së bashku me infrastrukturën tjetër ushtarake në Damask.

Ushtria izraelite nisi gjithashtu një ofensivë tokësore në Daraa në Sirinë jugore, ku sipas autoriteteve lokale u vranë të paktën nëntë persona.

Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësisë Golan sirian duke pushtuar zonën mbrojtëse të demilitarizuar, një veprim që shkeli një marrëveshje shkëputjeje të vitit 1974 me Sirinë.

Sipas raporteve, Izraeli përfitoi nga rënia e regjimit për të nisur qindra sulme që synonin objektet dhe asetet ushtarake në të gjithë Sirinë, duke përfshirë avionët luftarakë, sistemet raketore dhe instalimet e mbrojtjes ajrore.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë