Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka thënë se vrasja e rreshterit Muhamed Lika nga hetimet e para dyshohet se ndërlidhen me punën e tij si zyrtar policor.
“Ne ia kemi pasur borxh policisë dhe rreshterit Lika që te kemi këtë rezultat që e kemi tani. Hetimet do të vazhdojnë edhe për personat e tjerë.... Motivi kryesor dyshohet se lidhet me punën e tij si pjesëtar i Policisë së Kosovës”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se të gjithë personat e arrestuar janë në proces të intervistimit nga hetuesit tonë policor me autorizim të prokurorit
“Sot kemi konkretizuar një operacion policor i cili është zhvilluar në Kaçanik me qëllim të bastisjes, respektivisht zbatimin e urdhëresës së gjykatës së Ferizajt. Operacioni është zhvilluar me autorizim të Prokurorisë Themelore, ku gjatë këtij operacioni janë bastisur 9 lokacione, shumica e tyre në Kaçanik dhe një në një fshat të Klinës. Gjatë operacionit policor janë arrestuar 7 persona të dyshimtë të cilët dyshohen se kanë marrë pjesë në planifikimin dhe po ashtu në ekzekutimin e rreshterit tonë. Të gjithë personat e arrestuar janë në proces të intervistimit nga hetuesit tanë policorë me autorizim të prokurorit. Operacioni ka shkuar shumë mirë, nuk ka pasur ndonjë incident”, theksoi ai.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me aksionin policor të zhvilluar në orët e hershme të së hënës në Kaçanik. Ky aksion lidhet me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili mbeti i vrarë më 1 prill.























