| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Qeveria franceze u bën thirrje nxënësve: Mos i bllokoni shkollat
Ministri i Arsimit, Edouard Geffray u kërkoi protestuesve t'i lejojnë nxënësit të kthehen në klasa, duke e cilësuar rifillimin e mësimit si një "prioritet absolut".
Qeveria franceze u bën thirrje nxënësve: Mos i bllokoni shkollat
Qeveria franceze u bën thirrje nxënësve: Mos i bllokoni shkollat./Reuters

Qeveria franceze u bëri thirrje sot nxënësve të mos i bllokojnë shkollat ndërsa organizatat e nxënësve dhe gjimnazistëve rifilluan demonstratat pas pushimeve dyjavore, pavarësisht lëshimeve të shpallura javën e kaluar për t'i dhënë fund lëvizjes së protestës.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray u kërkoi protestuesve t'i lejojnë nxënësit të kthehen në klasa, duke e cilësuar rifillimin e mësimit si një "prioritet absolut". Në një prononcim për "France Inter", Geffray e njohu të drejtën e nxënësve për të protestuar, por theksoi se protestat nuk duhet t'i pengojnë të tjerët të kenë qasje në arsim.

Ai paralajmëroi se trazirat e vazhdueshme mund ta vënë në rrezik vitin shkollor dhe u kujtoi protestuesve se bllokimi i hyrjes në institucionet arsimore është i paligjshëm. "Ju nuk mund t'i pengoni shokët tuaj të klasës të shkojnë në mësim", shtoi ai.

Geffray tha se bllokadat e raportuara janë përqendruar kryesisht në rajonin Ile-de-France, në veri të Francës si dhe në qytetin Toulouse, në jugperëndim të vendit. Sipas transmetuesit BFMTV, një bllokadë u raportua sot herët para gjimnazit "Helene-Boucher" në arondismentin e 20-të të Parisit, një nga qendrat kryesore të lëvizjes së protestës së nxënësve.

Rreth 20 nxënës vendosën kosha plehrash para hyrjes së shkollës, duke penguar kështu qasjen në klasa. Policia pritet të forcojë praninë e saj rreth shkollave për të garantuar sigurinë dhe për të mbështetur komunitetin arsimor, pas episodeve të dhunës gjatë demonstratave të mëparshme.

Ky mobilizim i ri vjen pavarësisht një sërë masash të shpallura të hënën e kaluar, të cilat synojnë t'i japin fund protestave që nisën në mesin e muajit shtator.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë