Ministria e Brendshme në Shqipëri publikoi listën përfundimtare të personave të regjistruar për të votuar për zgjedhjet e datës 11 maj të këtij viti.
Nga të dhënat e gjeneruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile të drejtën e votës e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit.
Sipas Ministrisë së Brendshme, 114.642 zgjedhës votojnë për herë të parë dhe 1.081 shtetas janë të papërfshirë, për shkak të dekriminalizimit. Ndërsa numri i qendrave të votimit është 5.225.
Procesi i hartimit të listës përfundimtare të zgjedhësve është kryer nën mbikëqyrjen e auditëve të KQZ-së, duke kaluar në disa faza në zbatim të dekretit të Presidentit, përmes publikimeve të 3 ekstrakteve të përbërësve zgjedhore.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në vend, listat zgjedhore përfshijnë dy kategori: zgjedhësit që jetojnë brenda vendit dhe zgjedhësit që jetojnë jashtë vendit.
“Lista përfundimtare përmbyll procesin e hartimit dhe shpalljes së listës së zgjedhësve. DPGJC në çdo bashki vijon të përmbushë detyrimet mbi përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore. Ndërkohë qytetarët mund të aplikojnë apo rinovojnë letërnjoftimet elektronike të skaduara, si një nga 2 dokumentet biometrike, që përdoren për identifikimin e votuesve në zgjedhjet e 11 majit”, thuhet në njoftimin e Ministrisë të Brendshme shqiptare.
Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile dhe kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve të identitetit “IdentiTek” shprehin po ashtu angazhimin për përmbushje të standardeve më të larta, të këtij procesi të rëndësishëm.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri do të mbahen më 11 maj 2025















