Komisioni Evropian njoftoi të premten disbursimin e 2,9 miliardë eurove për Ukrainën, për të ndihmuar në përmbushjen e nevojave financiare të vendit, ruajtjen e funksionimit të administratës publike dhe mbështetjen e reformave në kushtet e luftës në vazhdim.
Pagesa përfshin 800 milionë euro, të cilat jepen për herë të parë në kuadër të komponentit të Instrumentit për Ukrainën të kredisë së BE-së për mbështetjen e vendit, sipas një deklarate.
“Me disbursimin e sotëm, po ndihmojmë në garantimin e stabilitetit financiar të Ukrainës dhe po mbështesim investimet që do të jenë bazë për rimëkëmbjen e saj të ardhshme”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
BE-ja tha se, pas pagesës së fundit, mbështetja e përgjithshme e dhënë në kuadër të planit të reformave të Ukrainës do të tejkalojë 32 miliardë euro, duke përfshirë kontributet e vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve partnere.
Për pjesën e mbetur të vitit 2026, Ukraina ka në dispozicion 33,7 miliardë euro mbështetje financiare, përfshirë 29,3 miliardë euro në kuadër të kredisë për mbështetjen e Ukrainës dhe 4,4 miliardë euro mbështetje buxhetore në kuadër të Instrumentit fillestar për Ukrainën.
Nga 29,3 miliardë eurot e disponueshme në kuadër të kredisë për mbështetjen e Ukrainës, 16,6 miliardë euro janë përcaktuar për kapacitetet e industrisë së mbrojtjes së Ukrainës, ndërsa 12,7 miliardë euro për mbështetje buxhetore.
Komisioni Evropian përsëriti gjithashtu angazhimin për të vënë në dispozicion kredinë prej 90 miliardë eurosh për mbështetjen e Ukrainës, të planifikuar për vitet 2026 dhe 2027, së bashku me fondet e mbetura në kuadër të Instrumentit fillestar për Ukrainën.























