Irani konfirmoi të mërkurën se raundi i dytë i bisedimeve me ShBA-në për programin e tij bërthamor, i cili fillimisht ishte planifikuar të mbahej në Oman, do të zhvillohet të shtunën në Romë.
Sipas televizionit shtetëror iranian, Oman do të vazhdojë të ketë rolin e ndërmjetësit gjatë këtyre negociatave.
Bisedimet vijnë pas një letre që presidenti amerikan Donald Trump i dërgoi muajin e kaluar Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ku i bënte thirrje për negociata direkte lidhur me çështjen bërthamore. Irani iu përgjigj kësaj letre përmes Omanit.
Më pas, të dyja palët zhvilluan takime në Muskat të Omanit më 12 prill, të cilat u përshkruan si “pozitive dhe konstruktive” nga të dyja palët.
Edhe pse mediat amerikane raportuan fillimisht se raundi i dytë do të mbahej në Romë, Irani kishte paralajmëruar rikthimin e bisedimeve në Oman. Vendimi i fundit konfirmon Romën si vendin e ri të zhvillimit të tyre.
Ndërkohë, më herët këtë javë, i dërguari i posaçëm i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, deklaroi për Fox News se Uashingtoni do të pranonte që Irani të pasuronte uranium deri në nivelin 3,67%, që është kufiri i përcaktuar nga marrëveshja e mëparshme bërthamore.
Megjithatë, më pas ai shtoi se Irani duhet ta ndalojë plotësisht pasurimin.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, u përgjigj duke thënë se vendi i tij është i gatshëm të adresojë shqetësimet për programin bërthamor, por nuk do ta negociojë të drejtën e tij për të pasuruar uranium.






















