Ish-anëtari i kabinetit të luftës izraelite Benny Gantz kërcënoi të martën se, nëse Hezbollahu nuk ndalon së lancuari raketa drejt Izraelit, Tel Avivi do të kryejë një operacion tokësor në Libanin jugor, shkruan "The Times of Israel".
Gantz, gjatë një vizite në veri të Izraelit, tha se "do të donte të përsëriste se Izraeli ka absolutisht të drejtë dhe se qeveria dhe forcat e sigurisë kanë mbështetje të gjerë dhe të plotë për të vazhduar operacionin derisa të rivendosin sigurinë".
"Nëse Nasrallah nuk e ndal zjarrin, ne gjithashtu do të duhet të hyjmë në territorin (O.P. Libanez) për të lejuar kthimin e banorëve tanë", shtoi ai.
Në Izrael, mundësia e pushtimit të një "zone sigurie tampon" në Libanin jugor është diskutuar gjithnjë e më shumë për disa kohë.
Në gusht 2006, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi njëzëri Rezolutën 1701, duke bërë thirrje për një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Libanit dhe Izraelit.
Rezoluta i bën thirrje Izraelit të tërhiqet përtej Linjës Blu, e cila shërben si kufiri që ndan Libanin nga Izraeli dhe lartësitë siriane të Golanit të pushtuara nga Izraeli.
Ushtria izraelite nisi tri valë sulmesh ajrore të martën kundër objektivave të Hezbollahut në Liban.
Të paktën 558 persona u vranë në sulmet ajrore izraelite në Liban, tha të martën ministri libanez i Shëndetësisë Firas Abiad. Midis viktimave ishin 50 fëmijë dhe 95 gra, ndërsa të paktën 1.835 njerëz u plagosën, tha Abiad në një konferencë për shtyp në Bejrut.
"Shumica e viktimave në sulmet izraelite që nga mëngjesi i së hënës janë civilë të pambrojtur në shtëpitë e tyre. Kjo hedh poshtë pretendimet e armikut për shënjestrimin e luftëtarëve", theksoi ministri.
Sulmet izraelite detyruan mijëra libanezë të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Libanin jugor dhe të lëviznin drejt Bejrutit dhe veriut të vendit.
Ushtria izraelite pretendon se ka goditur më shumë se 1.100 objektiva të Hezbollahut në 24 orët e fundit në Libanin jugor dhe lindor, duke përdorur më shumë se 1.400 municione të ndryshme në rreth 650 fluturime nga avionët e saj luftarakë.























