Numri i viktimave nga tërmetet në Mianmar është afruar në 2.900, ndërsa 72 persona mbeten të zhdukur në Tajlandë, raportoi të mërkurën Xinhua News.
Sipas ekipit informativ të Këshillit të Administrimit të Shtetit të Mianmarit, numri i viktimave ka arritur në 2.886, me 4.639 të plagosur dhe 373 persona ende të zhdukur.
Në Tajlandën fqinje, 72 persona mbeten të zhdukur në Bangkok, ndërsa kërkimet për trupat vazhdojnë në rrënojat e kullës State Audit Office, e cila u shemb gjatë tërmetit, raportoi Thai PBS të mërkurën.
Dy tërmete shkatërruese, me magnituda 7,7 dhe 6,4, goditën Mianmarin dhe Tajlandën të premten e kaluar, me epiqendrën në rajonin Sagaing, që raportohet të ketë pësuar dëmet më të mëdha.
Ekipet e shpëtimit tajlandeze dhe ndërkombëtare kanë punuar gjatë gjithë natës, duke përdorur qen nuhatës dhe pajisje të rënda për t'i ngritur blloqet e mëdha të betonit dhe për të arritur te personat e zhdukur.
Një zyrtar i shpëtimit pranoi se ekipet janë të kufizuara në numrin e makinerive të rënda që mund të përdorin njëkohësisht, pasi një lëvizje e gabuar mund të shkaktojë zhvendosjen e mbetjeve të varrosura thellë.
Rreth 100 punëtorë ndodheshin brenda godinës State Audit Office në Bangkok kur ajo u shemb të premten, si pasojë e lëkundjeve nga tërmeti i fuqishëm pranë rajonit Mandalay në Mianmarin fqinj.
Disa vende kanë ofruar ndihmë për Mianmarin për të përballuar pasojat e tërmeteve. Japonia njoftoi të mërkurën se është gati të ofrojë 6 milionë dollarë ndihmë emergjente për viktimat e fatkeqësisë.





















