Kalifornia është bërë shteti i parë amerikan që padit presidentin Donald Trump për shkak të përdorimit të tarifave.
Padia vë në shënjestër përdorimin nga presidenti Trump të Aktit Ndërkombëtar të Kompetencave Ekonomike Emergjente (IEEPA) për vendosjen e tarifave pa miratimin e Kongresit të ShBA-së.
Në një video pas paraqitjes së padisë, guvernatori Gavin Newsom tha se sot njofton një proces gjyqësor në emër të Shtetit të Kalifornisë, duke paditur administratën e presidentit Trump.
“Kalifornia është shteti më i madh prodhues në bashkimin tonë, një nga partnerët më të mëdhenj tregtar në mbarë globin. Asnjë shtet nuk do të ndikohet më shumë se shteti i Kalifornisë pasi lidhet me autoritetin e njëanshëm që është pohuar nga administrata e Trumpit për të vendosur rritjen më të madhe të taksave në historinë moderne amerikane”, tha Newsom.
Kalifornia, ekonomia e pestë më e madhe në botë, tha se industritë kryesore nga Silicon Valley deri te bujqësia do të humbasin miliarda për shkak të tregtisë së ndërprerë.
Padia pasqyron një sfidë të ngjashme ligjore në fillim të kësaj jave nga bizneset amerikane.























