Türkiye dhe Arabia Saudite kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi (MoU) për forcimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, deklaroi të enjten kreu i Industrive të Mbrojtjes së Türkiyes, Haluk Gorgun.
Në një postim në X, Gorgun tha se marrëveshja u nënshkrua mes Presidencës së Industrive të Mbrojtjes të Türkiyes (SSB) dhe Autoritetit të Përgjithshëm për Zhvillimin e Mbrojtjes të Arabisë Saudite (GADD).
Memorandumi, i nënshkruar me presidentin e GADD-së, Faleh bin Abdullah Al-Sulaiman, përfshin bashkëpunimin në fushat e kërkimit, zhvillimit dhe inovacionit në teknologjitë dhe sistemet e mbrojtjes dhe ato ushtarake.
Gorgun gjithashtu shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e Türkiyes me Arabinë Saudite pas një sulmi që shënjestroi Qendrën Financiare “Mbreti Abdullah” në Riad, duke dënuar incidentin dhe shprehur mbështetjen për popullin saudit.
“Ne e dënojmë sulmin dhe ritheksojmë solidaritetin tonë me popullin mik dhe vëlla të Arabisë Saudite”, tha Gorgun.
Ai shprehu shpresën se marrëveshja do të jetë në dobi të të dy vendeve dhe falënderoi Al-Sulaimanin dhe delegacionin që e shoqëronte për vizitën.















