| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Rastet me Ebola kalojnë shifrën 12 mijë në Republikën Demokratike të Kongos
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 12.021, përfshirë 5.904 viktima, teksa konflikti dhe rezistenca e komuniteteve janë fajësuar për përhapjen më të shpejtë të virusit.
Rastet me Ebola kalojnë shifrën 12 mijë në Republikën Demokratike të Kongos
Rastet me Ebola kalojnë shifrën 12 mijë në Republikën Demokratike të Kongos / AP (Wire)
 

Numri i rasteve të konfirmuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos, sipas të dhënave zyrtare, ka kaluar shifrën 12 mijë që nga shpallja e epidemisë në muajin maj.

Autoritetet shëndetësore të vendit po përballen me vështirësi për të frenuar përhapjen e epidemisë më të madhe në vend, në kushtet kur masat e reagimit janë penguar nga paqëndrueshmëria e sigurisë. Sipas përditësimit të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 12.021, përfshirë 5.904 viktima.

Konflikti dhe rezistenca e komuniteteve janë fajësuar për përhapjen më të shpejtë të virusit, nga një provincë e vetme në muajin maj në tetë provinca aktualisht, përkatësisht në Haut-Uele, Ituri, Kivu Verior, Kivu Jugor, Bas-Uele, Tshopo, Ubangi Jugor dhe Ubangi Verior.

Në fillim të kësaj jave, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) tha se luftimet e ashpra në afërsi të një spitali në provincën Ituri kishin penguar reagimin ndaj Ebolës dhe se ekipi i saj për këtë virus ishte zhvendosur përkohësisht nga zona Mongbwalu deri në qetësimin e situatës.

Punonjësit shëndetësorë të zhvendosur më herët kanë mbetur të bllokuar për më shumë se 24 orë në repartin e maternitetit të institucionit shëndetësor.

Këtë javë, OBSh-ja dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) prezantuan një plan të përditësuar kontinental për gatishmëri dhe reagim ndaj virusit Bundibugyo, i cili do të zbatohet nga nëntori i vitit 2026 deri në maj të vitit 2027.

Drejtori i përgjithshëm i OBSh-së, Tedros Ghebreyesus tha se plani do t'i vendosë komunitetet në qendër të përpjekjeve, do të forcojë zbulimin e hershëm dhe kujdesin shëndetësor, si dhe do të bashkojë vendet dhe partnerët në një përpjekje të koordinuar për të ndalur transmetimin dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.

Sipas OBSh-së, nevojiten rreth 1.576 miliardë dollarë gjatë gjashtë muajve të ardhshëm për të realizuar masat e reagimit. "Duhet t'i vazhdojmë përpjekjet tona, të tejkalojmë sfidat që lidhen me qasjen dhe sigurinë si dhe të punojmë së bashku me urgjencë dhe solidaritet për t'i dhënë fund kësaj epidemie”, tha Tedros në një postim në X.