| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Egjipt, 30 të vdekur dhe 15 të lënduar nga zjarri në një cisternë karburanti në Giza
Në një deklaratë të përditësuar, ministria bëri të ditur se numri i viktimave ka arritur në 30, sipas bilancit paraprak, ndërsa 15 të lënduar janë transportuar në spitale.
Egjipt, 30 të vdekur dhe 15 të lënduar nga zjarri në një cisternë karburanti në Giza
Egjipt, 30 të vdekur dhe 15 të lënduar nga zjarri në një cisternë karburanti në Giza / TRT Balkan AL
 

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë lënduar të mërkurën, pasi një cisternë me karburant është përfshirë nga zjarri në Unazën Rrethore të Kajros, në zonën Al-Warraq të provincës Giza, në perëndim të kryeqytetit egjiptian, njoftoi Ministria e Shëndetësisë. 

Në një deklaratë të përditësuar, ministria bëri të ditur se numri i viktimave ka arritur në 30, sipas bilancit paraprak, ndërsa 15 të lënduar janë transportuar në spitale.

Ajo shtoi se në operacionet e shpëtimit janë angazhuar 39 ambulanca.

Më herët, ministria kishte njoftuar se nëntë persona kishin pësuar djegie dhe një tjetër ishte prekur nga thithja e tymit, duke bërë të ditur se të dhjetë personat ishin dërguar në spital.

Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffar, po ndjek nga afër ndërhyrjen mjekësore dhe ka urdhëruar spitalet pranë vendit të ngjarjes që të rrisin nivelin e gatishmërisë, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ministrja e Solidaritetit Social, Maya Morsi, ka urdhëruar zyrtarët për mbrojtjen sociale që të bashkërendojnë menjëherë veprimet me Drejtorinë e Solidaritetit Social në Giza dhe ekipet e ndihmës së Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, për të ofruar ndihmë emergjente për personat e prekur, sipas një deklarate të zyrës së kryeministrit.

Më herët të mërkurën, portali shtetëror i lajmeve “Al-Ahram” raportoi se ekipet e mbrojtjes civile kishin vënë nën kontroll zjarrin që shpërtheu në një cisternë që transportonte produkte të naftës në unazën e Al-Warraq.

Forcat e sigurisë mbërritën në vendngjarje pas marrjes së njoftimit për zjarrin, ndërsa autoritetet e trafikut mbyllën rrugën dhe vendosën devijime për të parandaluar bllokimin e trafikut dhe për të mbrojtur drejtuesit e automjeteve, sipas raportimit.

Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur shkakun e zjarrit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë