| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Iraku mohon raportimet për lëvizjen e trupave drejt rajonit kurd
Mediat irakiane raportuan se njësitë e ushtrisë po drejtoheshin drejt rajonit për të mbyllur pikat jozyrtare të kalimit, të cilat dyshohet se përdoreshin për kontrabandën e naftës.
Iraku mohon raportimet për lëvizjen e trupave drejt rajonit kurd
Iraku mohon raportimet për lëvizjen e trupave drejt rajonit kurd/ AA / َAA
 

Qeveria e Irakut ka mohuar raportimet se njësitë e ushtrisë po lëviznin drejt rajonit kurd në veri të vendit, në mes të një mosmarrëveshjeje në rritje mes Bagdadit dhe Erbilit lidhur me kontrabandën e naftës.

Siç raporton agjencia irakiane e lajmeve INA, zëdhënësi i qeverisë irakiane, Haider al-Aboudi tha se kryeministri Ali al-Zaidi është i përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të banorëve të rajonit dhe jo për t'i kërcënuar ata.

Mediat irakiane raportuan se njësitë e ushtrisë po drejtoheshin drejt rajonit për të mbyllur pikat jozyrtare të kalimit, të cilat dyshohet se përdoreshin për kontrabandën e naftës. Al-Aboudi tha se qeveria do të vazhdojë të ndjekë kontrabandistët e naftës dhe të shkatërrojë rrjetet e tyre në të gjithë vendin.

Ai tha se të ardhurat nga kontrabanda e naftës përfundonin në llogari private, në vend që të përdoreshin në dobi të banorëve të rajonit.

Zëdhënësi i qeverisë u përpoq t'i qetësojë punonjësit e sektorit publik në rajonin kurd, duke theksuar se pagat e tyre nuk do të ndikohen nga mosmarrëveshjet me Bagdadin. Ai shtoi se qeveria është e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë irakianëve në buxhetin federal të vitit 2027.

Dje, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Al-Zaidi ka urdhëruar dislokimin e njësive ushtarake në të gjitha provincat, përfshirë në Kirkuk, si dhe mbylljen e rrugëve që përdoreshin për kontrabandën e naftës. Katër autoritetet më të larta shtetërore të Irakut dje ranë dakord për të zhvilluar dialog kombëtar më 1 dhjetor, me qëllim zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje kushtetuese mes qeverisë federale dhe Qeverisë Rajonale Kurde (KRG).

Marrëveshja u arrit pasi Gjykata Supreme Federale konfirmoi autoritetin e Bagdadit mbi sigurinë kufitare, pikat e kalimit kufitar dhe sektorin e naftës dhe gazit në rajonin kurd.