Banorët e lagjes së re tregojnë për Anadolu momentet emocionuese kur morën banesat disa vite më parë dhe flasin për kushtet e jetesës. Ata e konsiderojnë lagjen ku jetojnë si një ndër më të bukurat në Shqipëri.
Shqipëria shënon sot 7-vjetorin e tërmetit shkatërrimtar, i cili shkaktoi dhjetëra viktima, qindra të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale në banesa dhe objekte të tjera.
Pas tërmetit, institucionet e Türkiyes u angazhuan për të ndihmuar Shqipërinë me ekipe në operacionet e kërkim-shpëtimit, me ndihma humanitare dhe me ndihma të tjera.
Një nga ndihmat më domethënëse për Shqipërinë ishte projekti i financuar nga Türkiye në Njësinë Administrative Laç, në Bashkinë e Kurbinit. Me këtë projekt u ndërtuan mbi 520 apartamente dhe e realizoi Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Türkiyes (TOKI).
"Njerëzit janë shumë të lumtur këtu"
Banorët e lagjes së re i tregojnë Anadolu-t momentet emocionuese kur morën banesat disa vite më parë dhe flasin për kushtet e jetesës. Ata e konsiderojnë lagjen ku jetojnë si një ndër më të bukurat në Shqipëri.
Valbona Gjoka, 55 vjeçe, është një nga banoret e Laçit që përfitoi banesë nga projekti i realizuar nga Türkiye. Ajo tregon se shtëpia e saj e mëparshme u shkatërrua nga tërmeti.
"Falë kryeministrit Edi Rama, kryetares së Bashkisë Kurbin (Majlinda Cara), Presidentit (Recep Tayyip) Erdoğan, u bëmë me shtëpi të re. Njerëzit janë shumë të lumtur këtu. Këtu është jeta shumë e mirë. Çdo gjë është perfekte. Kushtet janë shumë të mira. (Jemi) shumë të lumtur, shumë të kënaqur", shprehet ndër të tjera Gjoka.
"Është një ndër lagjet më të bukura në Shqipëri dhe më gjerë"
Lulzim Dedgjonaj, 38 vjeç, është një tjetër banor i Laçit që përfitoi apartament në lagjen e re të ndërtuar nga ky projekt. Ai thotë se kushtet, standardet dhe punimet në këtë lagje janë të shkëlqyera.
Ai thekson premtimin e Presidentit Erdoğan, si dhe mbështetjen që i dhanë projektit Qeveria e Shqipërisë dhe kryetarja e Bashkisë së Kurbinit.
"Është një ndër lagjet më të bukura në Shqipëri dhe më gjerë. Punimet që janë bërë këtu besoj nuk i gjen kund në Shqipëri, por as në zonat përreth. Kanë punuar në mënyrë të përkryer Agjencia Shtetërore TOKI me punonjësit e tyre. Kanë punuar ditë-natë, tre turne, në shi, në borë, në të ftohtë, në acar, dhe për rreth një vit e pak kanë bërë mbylljen e këtyre ndërtesave të mrekullueshme", tha ai.
Sipas tij, banorët e kësaj lagjeje janë shumë të lumtur, sepse erdhën nga një lagje e vjetër që u shkatërrua nga tërmeti. Dedgjonaj shtoi: "Pastaj me sytë duke besuar te Zoti se kur do t'i marrin këto banesat e reja, me vullnetin e mirë të Presidentit Erdoğan, këto (banorët) i morën banesat e reja. Jeta këtu është shumë e mrekullueshme".
"Apartamentet i plotësojnë të gjitha standardet"
Luigj Tarja, 77 vjeç, është një tjetër banor që përfitoi nga ky projekt. Ai thekson se apartamentet i plotësojnë të gjitha standardet. "Të them të drejtën, jemi të privilegjuar shumë, falë asaj që shpëtuam, por falë edhe kësaj tjetrës që u strehuam", u shpreh ai.
"Sa herë vijmë (në shtëpi) përballemi me TOKI-n, na del si emblemë. (Janë) jashtëzakonisht punime të mira. Unë mbaj mend një sekuencë: natën e Vitit të Ri, deri në 23:30, (punëtorët) ishin duke punuar në çati me pelerina, në një kohë që pothuajse të gjithë ne të tjerët ishim në shtëpitë tona duke pritur natën e vitit të ri. Na bënte përshtypje disiplina, korrektesa, durimi, qëndresa dhe vlerësimi që kishin ata për këto ndërtime", tha Tarja.
Kujtojmë se në ceremoninë zyrtare të dorëzimit të banesave për familjet e prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, në janar 2022, mori pjesë edhe Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019
Në orën 03:54 të 26 nëntorit 2019, Shqipëria regjistroi një nga tërmetet më shkatërrimtare të dekadave të fundit, me magnitudë 6,3 ballë sipas shkallës Rihter.
Epiqendra e tërmetit ishte brenda territorit të Qarkut të Durrësit, 30 kilometra nga Tirana. Bashkitë më të prekura ishin Durrës, Shijak, Krujë, Tiranë, Kamëz, Kavajë, Kurbin dhe Lezhë.
Tërmeti shkatërroi dhe dëmtoi pallate banimi, shtëpi, monumente kulturore, shkolla, objekte të institucioneve, qendra shëndetësore dhe objekte kulti. Gjurmët e shkatërrimit janë ende të dukshme.
Sipas të dhënave zyrtare që ka përpiluar Anadolu, nga tërmeti humbën jetën 51 persona dhe 913 të tjerë u plagosën, ndërsa shëndeti i mijëra të tjerëve u ndikua. Në vend u prekën 202.291 persona, nga të cilët 47.263 në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe 155.029 në mënyrë të tërthortë, ndërsa 17.000 persona u zhvendosën nga banesat e tyre.















