Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa u bëri thirrje sot liderëve të BE-së që t'i qasen negociatave për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut me "mendje të hapur, qasje konstruktive dhe ndjenjën e kompromisit", duke theksuar nevojën për të arritur marrëveshje në kohë.
"Tani është koha që të gjithë liderët të marrin pjesë në këtë debat, me mendje të hapur, qasje konstruktive dhe ndjenjën e kompromisit, sepse ne duhet ta miratojmë këtë buxhet në kohë. Kjo do të thotë deri në fund të këtij viti, dhe për këtë ne duhet të arrijmë unanimitet", tha Costa përpara samitit të posaçëm të BE-së në Bruksel.
Ai theksoi se arritja e një marrëveshjeje do të kërkonte që të gjitha vendet anëtare të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të marrin parasysh qëndrimet e njëri-tjetrit për të gjetur gjuhën e përbashkët. Costa identifikoi tre çështje kryesore për diskutim: madhësinë e përgjithshme të buxhetit, shpërndarjen e fondeve midis prioriteteve të ndryshme dhe marrëveshjen për paketë të balancuar dhe efektive të burimeve të reja të të ardhurave të BE-së për të mbajtur kontributet kombëtare në nivele të arsyeshme.
Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë propozimin në një samit të posaçëm në Bruksel të enjten dhe të premten ndërsa mosmarrëveshjet mbi kuadrin financiar shumëvjeçar 2028-2034 vazhdojnë midis shteteve anëtare. Buxheti i propozuar synon të mbështesë prioritetet kryesore të BE-së, përfshirë fermerët, qytetet dhe rajonet, ndërsa rrit investimet në siguri, mbrojtje dhe konkurrencë.
Propozimi i Costas parashikon buxhet 10 për qind më të vogël se plani fillestar i Komisionit Evropian, që përfaqëson reduktim prej 204 miliardë eurosh me çmimet aktuale. Sipas propozimit, kontributet mesatare kombëtare do të rriteshin pak nga 0,80 për qind në 0,82 për qind të të ardhurave kombëtare bruto të shteteve anëtare, duke mbetur pranë niveleve aktuale.
Një çështje tjetër e diskutueshme është një hua e propozuar prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën, ku Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kundërshtojnë pjesëmarrjen ndërsa Gjermania dhe disa vende të tjera anëtare e kanë vënë atë si kusht për marrëveshje më të gjerë buxhetore.















