Policia franceze ka nisur “ditën e mobilizimit të madh kombëtar”, duke organizuar protesta para stacioneve policore me qëllim që të dëgjohen kërkesat e saj.
Siç raporton televizioni BFMTV, policët janë në grevë që nga mesnata, pas thirrjes së sindikatës "Alliance Police Nationale" për një “ditë të mobilizimit të madh kombëtar” për ditën e sotme.
Policët kërkuan rritjen e shtesës së posaçme për shërbimin policor, një kompensim për rrezikun që aktualisht është 28,5 për qind. Sindikata kërkoi rritjen e saj në 35 për qind, nën sloganin “35 për qind ose asgjë!”
Kërkesat erdhën pas demonstratave të fundit mbarëkombëtare, gjatë të cilave u angazhuan një numër i madh i forcave të rendit.
Policët gjithashtu kërkuan rritjen e shtesës për funksionet, detyrat dhe ekspertizën, si dhe të shtesës së posaçme për personelin administrativ, teknik dhe të specializuar.
Sindikatat kritikuan gjithashtu Ministrinë e Punëve të Brendshme për faktin se në deklaratat e mëparshme nuk kishte bërë “asnjë njoftim” lidhur me personelin policor administrativ, teknik dhe të specializuar.
Derisa mobilizimi vazhdon, priten gjithashtu pengesa në kontrollet e sigurisë dhe ato doganore në Aeroportin Orly, ku policia kufitare planifikon të kryejë “kontrolle të hollësishme” të udhëtarëve, duke shkaktuar vonesa dhe mbingarkesë.
Ndërkohë, sindikatat "Unsa Police" dhe "Alternative Police" u bënë thirrje të gjithë policëve që të mblidheshin para stacioneve policore në mesditë. Disa tubime ishin zhvilluar tashmë në të gjithë Francën që nga mesnata, të udhëhequra nga policët që punonin në ndërrimin e natës.















