Mbrojtja Civile e Arabisë Saudite lëshoi sot për pak kohë paralajmërim për rrezik të mundshëm në provincën Jazan, në jugperëndim të vendit, përpara se të njoftonte se rreziku kishte kaluar.
Në një deklaratë të publikuar në platformën amerikane të mediave sociale X, Mbrojtja Civile tha se paralajmërimi ishte lëshuar përmes Platformës Kombëtare të Paralajmërimit të Hershëm, me qëllim njoftimin e banorëve për një rrezik të mundshëm.
Në një njoftim të mëvonshëm, agjencia bëri të ditur se rreziku kishte kaluar. Ajo u bëri thirrje banorëve që të vazhdojnë të ndjekin udhëzimet e Mbrojtjes Civile dhe të shmangin grumbullimet në vende publike apo filmimin e incidenteve.
Alarmi vjen në një kohë kur po shtohen sulmet me raketa dhe dronë të Huthive kundër Arabisë Saudite.
Të mërkurën, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Jemenit, tha se një predhë e lëshuar nga huthët goditi portin e Jazanit, duke shkaktuar dëme të vogla, por pa lënduar civilë.
Arabia Saudite e udhëheq koalicionin ushtarak që nga marsi i vitit 2015. Jemeni është përfshirë nga konflikti që prej vitit 2014, kur grupi Huthi mori nën kontroll kryeqytetin Sana dhe pjesë të tjera të vendit. Përshkallëzimi i ri i luftimeve mes forcave qeveritare dhe huthëve nisi në korrik, pas prishjes së armëpushimit të arritur në vitin 2022.















