Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha sot se planet e BE-së për të ndarë fonde të konsiderueshme për Ukrainën në kuadër të buxhetit të ardhshëm shtatëvjeçar do ta financonin vazhdimin e luftës dhe jo paqen.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se rritja e financimit për Ukrainën do të thotë se taksapaguesit në Francë, Itali dhe Gjermani do të kenë më pak burime financiare në dispozicion për nevojat e brendshme.
“BE-ja po përgatitet të ndajë një tjetër shumë të madhe parash për luftën. Këto nuk janë para për paqen”, theksoi ai. Peskov argumentoi se financimi evropian do ta bënte Kievin më pak të gatshëm për t'u angazhuar në përpjekjet për paqe dhe më të prirur për të vazhduar luftimet, në dëm të qytetarëve ukrainas dhe evropianë.
“Pasojat për procesin e paqes nuk janë shumë të mira. Regjimi i Kievit, i inkurajuar dhe nxitur nga evropianët, është më pak i prirur drejt procesit të paqes dhe më i gatshëm për të vazhduar luftën, në dëm të interesave, para së gjithash, të qytetarëve ukrainas”, tha ai.
Sipas tij, në vend që të rinovohen shkollat, të ndërtohen spitale dhe institucione të reja sociale, të paguhen përfitimet dhe të rriten pagat e mësuesve dhe mjekëve, këto para po shpenzohen për municione.
I pyetur lidhur me shkëmbimin e të burgosurve të luftës, për të cilin Moska dhe Kievi ranë dakord gjatë bisedimeve të këtij muaji në Abu Dhabi, Peskov tha se shërbimet e inteligjencës të Rusisë dhe Ukrainës po punojnë me ndërmjetësit dhe Avokatët e Popullit të të dy vendeve për t'i përgatitur listat për shkëmbimin e të burgosurve.
Ai akuzoi Ukrainën se po angazhohet në “veprimtari terroriste” në Detin Mesdhe dhe Detin Baltik, duke thënë se veprime të tilla janë burim shqetësimi për shtetet bregdetare dhe potencialisht për NATO-n në tërësi. "Askush nuk do të dëshironte që shtrirja gjeografike e konfliktit të zgjerohej dhe këto veprime të regjimit të Kievit janë potencialisht shumë të rrezikshme", tha Peskov.















